BE-ja e EULEX-i lavdërojnë Kosovën në raport me sundimin e ligjit

BE-ja e EULEX-i lavdërojnë Kosovën në raport me sundimin e ligjit

Shefja e Zyrës së BE-së, Nataliya Apostolova, deklaroi sot se Kosova ka bërë përparim në shumicën e çështjeve që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit, ndërsa kërkoi miratimin e shpejtë të dispozitave në lidhje me pezullimin dhe heqjen e zyrtarëve publikë të paditur dhe të dënuar për korrupsion.

Ajo këto komente i bëri në takimin e Bordit të Përbashkët Koordinues për Sundimin e Ligjit, ku morën pjesë edhe shefja e Misionit të EULEX-it në Kosovë, Aleksandra Papadopoulou, ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi dhe ai i Këshillit Prokurorial, Blerim Isufaj.

Apostolova vuri në dukje se çështje të tjera të tjera ende kanë nevojë për koordinim të mëtutjeshëm, duke thënë se lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit mbetet sfidë kryesore për Kosovën.

“Ajo që mbetet për t’u bërë në fushën legjislative është miratimi i shpejtë i dispozitave në lidhje me pezullimin dhe heqjen e zyrtarëve publikë, përkatësisht të paditur dhe të dënuar për korrupsion”, tha Apostolova, raporton KsP.

Ndërsa, shefja e EULEX-it, Aleksandra Papadopoulou u përqendrua në procesin e integrimit të drejtësisë në Kosovën e veriut, që ka filluar në tetor të vitit 2017, ndërsa lavdëroi Kosovën për përparimin e bërë në zbatimin e udhërrëfyesve të BPKSL.

“Nxjerrja e vendimeve që janë pezull dhe e aktgjykimeve që kanë të bëjnë me Panelin e Apelit të AKP-së për palët që banojnë jashtë Kosovës, siç është iniciuar së fundmi, është një arritje e rëndësishme. Ligji për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme aktualisht është duke u ndryshuar, duke shënuar një hap tjetër të rëndësishëm në sigurimin e vazhdimësisë dhe qëndrueshmërisë së punës së Gjykatës”, tha Papadopoulou.

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, vuri në dukje paketën e ligjeve të hartuara për luftën kundër korrupsionit, si dhe ligjeve të tjera të nevojshme për përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga Agjenda Evropiane e Reformave.

“Korrupsioni është një fenomen që është vështirë të adresohet dhe në të njëjtën kohë problem që nuk mund t’ia lejojmë vetes ta injorojmë. Pezullimet dhe largimet e zyrtarëve publikë që akuzohen ose janë dënuar për korrupsion adresohen përmes Projektkodit të ri Penal dhe do të përpunohen më tej përmes Projektkodit të Procedurës Penale”, tha ai.

Ndërsa, kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi shprehu angazhimin e Këshillit Gjyqësor për të përmbushur detyrimet e mbetura lidhur me trajtimin në kohë dhe me efikasitet të rasteve të korrupsionit që rrjedhin nga Agjenda Evropiane e Reformave si dhe kriterin e mbetur për liberalizim të vizave.

Kryetari i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Blerim Isufaj, i informoi anëtarët e BPKSL për progresin e arritur kohët e fundit nga sistemi prokurorial në Kosovë, me theks të veçantë në aktivitetet e planifikuara për përmirësimin e mëtejshëm të administratës nëpërmjet legjislacionit sekondar, projekt-strategjive dhe politikave përkatëse.

Në këtë takim u bë e ditur se raporti i përbashkët për progresin e Kosovës në sundimin e ligjit, Raporti Kompakt i Progresit 2017-18, do të publikohet në shtator të këtij viti gjatë takimit tjetër të BPKSL që do të organizohet nga EULEX-i.

COMMENTS

WORDPRESS: 0