Bashkëpunimi mes institucioneve e sektorit privat i rëndësishëm për zhvillimin e politikave ekonomike

Bashkëpunimi mes institucioneve e sektorit privat i rëndësishëm për zhvillimin e politikave ekonomike

Këshilli i Investitorëve Evropian (KIE), ka organizuar tryezën për diskutim me titull: “Reforma e Politikës Fiskale dhe ndikimi i saj në sektorin privat dhe zhvillimin ekonomik”.

Në këtë takim është diskutuar rreth reformave të politikës fiskale dhe impakti i tyre në sektorin privat dhe veçanërisht Projektligji për Tatimin në të Ardhurat e Korporatave (TAK) si dhe Projektligji për Tatimin në të Ardhurat Personale (TAP).

Ndër të tjera gjatë këtij takimi u diskutuan edhe aspektet teknike të cilat kanë ndikim në sektorin bankar, sektorin e kompanive të sigurimit, tatimin mbi të drejtat pronësore, tatimin në dividendë, dhe shumë e shumë aspekte tjera të rëndësisë së veçantë.

Drejtori Ekzekutiv i KIE Shpend Balija tha se bashkëpunimi në mes të institucioneve vendore dhe sektorit privat është elementi kryesor i cili ndikon pozitivisht në zhvillimin e politikave të mirëfillta ekonomike.

“Jam i kënaqur që sot ne po vazhdojmë dialogun dhe po e thellojmë bashkëpunimin tonë në shkëmbimin e ideve dhe praktikave më të mira me qëllim të eliminimit të barrierave afariste si dhe përafrimit të legjislacionit vendor me atë të Bashkimit Evropian duke dhënë kontributin maksimal në harmonizimin e legjislacionit si dhe eliminimin e mangësive legjislative të cilat kanë ekzistuar në të kaluarën”, është shprehur Balija.

Zëvendësministër i Financave Fatmir Gashi falënderoi Këshillin e Investitorëve Evropian për organizimin e këtij takimi dhe tha se rekomandimet e kaluara të KIE janë zbatuar, gjë që shërben si dëshmi e një bashkëpunimi të ngushtë me këtë institucion.

Gashi shtoi se Ministria e Financave ka  implementuar reforma në katër ligje: Ligji për Administratë, Ligji për TVSH, Ligji për të Ardhurat e Korporatave dhe Ligji për të Ardhurat  Personale.

Duke potencuar rëndësinë dhe gatishmërinë e bashkëpunimit me sektorin privat dhe investitorëve në Kosovë, në mënyrë që të nxitet zhvillimi ekonomik i vendit Gashi tha se kjo është mënyra më e mirë për të ndikuar në draftimin e mirëfilltë të legjislacionit duke bashkëbiseduar dhe duke marr qëndrime të përbashkëta me sektorin privat rreth këtyre temave të rëndësishme.

Për më shumë Gashi ftoi KIE dhe institucionet tjera vendore për bashkëpunim edhe më të ngushtë në përmirësimin e legjislacionit.

Ndërsa Nahit Sharku nga ATK tha se një numër i madh çështjesh si Fondi rezervë,Shërbimet Financiare dhe Shpenzimet e ndodhura duhet të definohen në ligj.  Ai tha se Fondi Rezervë  duhet të riformatohet në Rezerva Shtetërore.  Gjithashtu Sharku theksoi nevojën për ti rishikuar ndëshkimet, pasi tanimë 90% e tatimpaguesve janë pagues vullnetarë.

Ramize Ramadani nga Banka Qendrore e Kosovës tha se sektori i sigurimeve në Kosovë përbën vetëm 3% të tregut të përgjithshëm.Ky sektor është ballafaquar me humbje dhe me tatime të mëdha.

Shumica e familjeve në Kosovë nuk janë të siguruara,  gjë që tregon se ka potencial të madh për zhvillim të këtij sektori në të ardhmen.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0