Balje për televizionin boshnjak: Më shumë të drejta kanë boshnjakët në Kosovë se në Bosnjë

Balje për televizionin boshnjak: Më shumë të drejta kanë boshnjakët në Kosovë se në Bosnjë

Deputetja e komunitetit boshnjak në Kuvendin e Kosovës, Duda Balje, e ftuar në një televizion boshnjak, ka folur për problemet me të cilat përballet ky komunitet në Kosovë.

Balje, ndër të tjera, ka thënë se boshnjakët në Kosovë janë të diskriminuar pozitivisht, madje ka thënë se kanë të drejta më shumë se që kanë boshnjakët në Bosnje.

“T’ju them të drejtën, më shumë të drejta kemi ne në Kosovë se që kanë boshnjakët në Bosnjë. Përfaqësimi, për shembull, jeni shumë pak të përfaqësuar bazuar në numrat sa jeni, ndërsa ne, 30 mijë boshnjakë, kemi 3 vende në Parlament, kemi ministër, kemi pesë zëvendësministra, kemi ndoshta rreth 20 këshilltarë në Qeveri, kemi nënkryetar në Prizren, në Dragash, në Pejë, do të thotë, jemi gjithkund nëpër Kosovë. Kemi të drejtën në gjuhë, lajmet i kemi në gjuhën boshnjake…”, ka thënë ajo në “FaceTv”.

Balje thotë se boshnjakët në Kosovë pranohen shumë mirë nga shqiptarët, ndërsa thotë se boshnjakët as para luftës, e as pas saj, nuk i kanë bërë keq asgjë shqiptarëve. Madje thotë se boshnjakët luftojnë për Kosovën.

“Në të gjitha fakultetet, universitetet e Kosovës, kemi vende të rezervuara. Kemi teste që janë në gjuhën boshnjake. Kemi pastaj edhe kuotat, për shembull, nëse një shqiptari i duhen 20 pikë për t’u regjistruar në një fakultet, neve na duhen 9. Praktikisht, kemi të drejtat që nuk besoj se i keni ju këtu”, shprehet deputetja boshnjake e Kuvendit të Kosovës.

Ajo thotë ta ketë pasur problem në fillim çështjen e gjuhës shqipe, por thotë se tani e di shumë më mirë, ndonëse ende ka probleme, por thotë se tolerohet nga bashkëbiseduesit.

Duda Balje ankohet se komuniteti boshnjak në Kosovë nuk e ka fare mbështetjen e shtetit të Bosnjës. Thotë se “kur flet me komunitetin turk, thonë se duhet të flasim me Erdoganin, kur flet me serbët, thonë se duhet ta pyesim Vuçiqin, ndërsa ne nuk e kemi askënd që ta pyesim”.

Duke folur për komunitetin boshnjak në Kosovë, Balje thotë se më së keqi janë ata në pjesën veriore të Kosovës, në Lagjen e Boshnjakëve, që thotë se janë “viktima të marrëdhënieve mes shqiptarëve dhe serbëve”.

“Unë e kam të vështirë t’i ndihmoj ata sepse ka rryma të ndryshme politike. E kanë të pamundur të gjejnë punë. Atje është situata e tendosur, në atë pjesë të Kosovës”, thotë deputetja boshnjake.

Ajo thotë se bashkëpunimi me komunitetin serb në Kosovë është shumë i vogël.

“Përfaqësuesit serbë të Kosovës bojkotojnë punën e Kuvendit, nuk e dimë se çfarë planesh kanë, nuk kemi informacione për ta. Kemi shumë pak kontakte, por edhe ne i kemi mjaft problemet tona. Raportet Serbi-Kosovë janë raporte mes dy shteteve të pavarura, pavarësisht se Serbia nuk dëshiron ta pranojë këtë”, shton Balje.

E pyetur se çfarë mendon për Millorad Dodikun, kryesues i Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës, i cili ka folur për pavarësinë e Republikës Serbe në BeH, ka thënë: “Më mirë të mos i them zotëri Dodikut se çfarë mendoj për të”.

“E kam dëgjuar të thotë se Republika Serbe e ka penguar Bosnjën të njohë pavarësinë e Kosovës. Një gjë mund të them se Kosova nuk do të lejojë kurrë formimin e një Republike Serbe në territorin e saj, për këtë jam e sigurt. Mendoj se keni një problem shumë të madh”, theksoi Balje, duke iu referuar Dodikut.

Kur u pyet se çfarë mendon për presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, Duda Balje tha: “Për të nuk mendoj fare, asgjë”.

Deputetja boshnjake e Kuvendit të Kosovës tha se komuniteti që ajo përfaqëson janë kosovarët më të pastër që jetojnë në Kosovë.

“Ne jemi kosovarët më të pastër në Kosovë, duke e pasur parasysh se jemi të vetëm, s’e kemi mbështetjen e askujt. Kur duhet të votojmë diçka në Parlament, unë s’kam se kë ta thërrasë për konsultime. Shoh se Lista Serbe nuk hyn në Kuvend pa e pyetur Beogradin, pra janë 100 për qind nën direktivat e Beogradit. Unë aty jam e vetme me koalicionin tim, me njerëzit brenda koalicionit tim. Pra, e them publikisht edhe këtu, siç e kam thënë edhe më parë, se ne jemi kosovarët më të pastër. Definitivisht jemi kosovarët më të pastër”, deklaroi ajo.

COMMENTS

WORDPRESS: 0