Azem Syla në liri, Specialja lë rastin pa prokuror

Azem Syla në liri, Specialja lë rastin pa prokuror

Prokuroria Speciale e Kosovës për më shumë se një javë nuk ka arritur të caktojë një prokuror të ri, i cili do të merret me rastin “Toka” njërin prej rasteve më të mëdha në vend.

Kallxo.com ka raportuar javën e kaluar se Gjykata e Prishtinës ka liruar Azem Sylën nga arresti shtëpiak, me arsyetimin se “prokuroria nuk kishte bërë kërkesë për vazhdimin e arrestit”. Prokurori i rastit “Toka” ndaj Azem Sylës dhe të tjerëve, Abdurrahim Islami, kishte dalë në pension vetëm pak ditë para se gjykata të lironte Azem Sylën. Gjykata e Prishtinës ishte arsyetuar se masa e arrestit nuk mund të trajtohej pa një kërkesë nga ana e Prokurorisë.

Kallxo.com zbulon se rasti për më shumë se një javë nuk ka një prokuror i cili do të merrej me trajtimin e tij.

Prokurori i Prokurorisë Speciale, Sylë Hoxha, njëherësh përgjegjës për komunikim me media në këtë prokurori, tha për Kallxo.com se ende nuk është caktuar prokurori i ri i këtij rasti.

“Ende nuk e kemi caktuar prokurorin e ri të këtij rasti, por shumë shpejt do të caktohet”, tha Hoxha për Kallxo.com.

Megjithatë, prokurori Hoxha tha se Prokuroria Speciale ende nuk ka pranuar vendimin e gjykatës për lirimin e Azem Sylës nga arresti shtëpiak. Sipas tij, prokuroria do të parashtrojë ankesë ndaj lirimit nga arresti shtëpiak.

“Nuk e kemi pranuar ende vendimin e gjykatës për lirimin nga arresti të Azem Sylës, por kur ta pranojmë ne do të ankohemi për këtë vendim”, tha Hoxha.

 

COMMENTS

WORDPRESS: 0