Avokati i Popullit, institucioni më i besuar në Kosovë

Avokati i Popullit, institucioni më i besuar në Kosovë

Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën vlerëson se Institucioni i Avokatit të Popullit (IAP) ka vazhduar ngritjen e kapaciteteve për shqyrtimin e rasteve, duke u bërë kështu institucioni më i besuar në Kosovë.

Në raport përmenden veprimet dhe ndërveprimet e IAP-së kundrejt autoriteteve përkatëse të vendit dhe vlerëson përmirësimin e dialogut në mes të Avokatit të Popullit dhe institucioneve qeveritare, ashtu siç edhe numrin në rritje të rekomandimeve të zbatuara.

Raporti vë në pah themelimin e Mekanizmit Kombëtar për Parandalimin e Torturës, në kuadër të IAP-së, duke potencuar faktin se stafi përkatës është duke u trajnuar intensivisht dhe se ka filluar me trajtimin dhe hetimin e ankesave të pranuara.

Po ashtu, raporti thekson adresimin e të drejtës së qytetarëve për miradministrim nga ana e Avokatit të Popullit, si institucion i pavarur mbikëqyrës.

Sa i përket të drejtave pronësore, raporti përmend se Avokati i Popullit ka rekomanduar ndryshimin e Ligjit për Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim, në mënyrë që ky ligj të jetë në pajtim me Kushtetutën, standardet evropiane dhe ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

Ndryshimet e rekomanduara nga Avokati i Popullit, kanë të bëjnë me mandatin dhe kompetencat e Agjencisë, për të vepruar në rastet e ri-uzurpimit të pronave të personave të zhvendosur, gjë që nuk parashikon ligji aktual.

Sa i përket mos-diskriminimit, në fushën e politikave sociale dhe të punësimit, raporti përmend se numri i ankesave të cilat Avokati i Popullit i pranon nga qytetarët mbetet i njëjtë, mirëpo thekson se numri i rasteve të iniciuara me vetiniciativë të Avokatit të Popullit (Ex Officio) është dyfishuar. /Telegrafi/

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0