Autostrada: Zyrtarisht fillojnë hetimet për 53 milionët që iu dhanë Bechtel-Enkas

Autostrada: Zyrtarisht fillojnë hetimet për 53 milionët që iu dhanë Bechtel-Enkas

Autostrada që lidh Prishtinën me Shkupin, “Arbën Xhaferi”, është lëshuar për qarkullim para dy muajsh, pas përfundimit të punimeve. Mirëpo, tash punë në lidhje me këtë autostradë po kanë organet e drejtësisë.

Qeveria e Kosovës ka paguar 53 milionë euro shtesë për kompaninë “Bechtel & enka”, e cila ndërtoi këtë autostradë, në formë të penaltisë.

E, për këtë çështje Prokuroria Speciale e Kosovës ka nisur hetimet. Këtë për ndërtimi.info e ka bërë të ditur zëdhënësi i kësaj prokurorie, Ekrem Lutfiu.

“Hetimet janë në zhvillim e sipër, deri më tani janë dëgjuar një numër i konsiderueshëm i dëshmitarëve, si dhe jemi duke punuar në mënyrë intensive në këtë rast”, ka thënë ai në një përgjigje me shkrim.

Nga Prokuroria kanë thënë se është herët që të zbulohen detajet tjera lidhur më këtë rast.

Në fillim të muajit korrik të këtij viti, ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj kishte bërë të ditur se ishte pagiuar shuma prej 53 milionë eurosh penallti ndaj “Bechtel & Enka”.

Autostrada “Arben Xhaferi” që shkon nga Prishtina drejt Shkupit, deri në Han të Elezit, i ka kushtuar shtetit të Kosovës mbi 600 milionë euro fillimisht. Mirëpo, problemet me pagesa kanë bërë që shteti të detyrohet për të paguar penalti prej 53 milionë eurosh, që në fillim ishin 63 milionë, mirëpo më pas u zvogëluan nga negociatat.

Arsyet ishin për zvarritje të punimeve, si dhe për vonesa në pagesa të mjeteve në të kundërtën kushtëzuan se i ndërpresin punimet në Autostradën “Arbën Xhaferi” për ta dërguar lëndën në Arbitrazhin ndërkombëtar. Menjëherë pas këtij paralajmërimi, Qeveria Haradinaj mori vendim që ta shlyejë këtë borxh.

Autostrada Prishtinë – Hani Elezit e njohur ndryshe edhe si autostrada “Arbën Xhaferi” në bazë të kontratës fillestare do duhej të përfundonte më 1 janar të vitit 2018. Më pas u shty për në 31 dhjetor 2018, mirëpo lëshimi në qarkullim po ndodh më 29 maj 2019.

Në qershor të vitit 2018, në Kuvendin e Kosovës, kryeministri tash në dorëheqje, Ramush Haradinaj, kishte thënë se kontrata dhe vendimi për alokimin e 53 milionë eurove kompanisë “Bechtel Enka” ka qenë i domosdoshëm, për t’i ikur Arbitrazhit dhe dëmit më të madh.

“Nuk kemi pas qare pa ia pagu paret, sepse i kemi gjet pa pagu 14 milionë që qeveria e kaluar i ka lënë qaty. Dhe nga ky borxh është krijuar 53 milionëshi. “Ne jemi vonuar me pagesa për kompaninë dhe kjo parashihet edhe në kontratën e bërë në fillim. Por, po ju garantoj se askush asnjë cent nga ky 53 milionëshi nuk mundet me e vjedh, sepse s’mundesh me i vjedh para një kompanie ndërkombëtare siç është Bechteli”, kishte thënë Haradinaj.

Sipas tij, shkuarja në Arbitrazh me “Bechtelin” për Kosovën do të thoshte humbje edhe më e madhe, pasi që, siç kishte thënë Haradinaj, të gjitha dokumentet janë në favor të kompanisë.

Ndërkaq, çmimi fillestar i autostradës “Arbën Xhaferi” ka qenë 599 milionë e 944 mijë e 263 euro e 55 cent, mirëpo më pas ndryshimit të TVSH-së nga 16% në 18%, çmimi u rrit për 8 milionë euro, pra në 608 milionë e 348 mijë e 430 euro e 87 cent.

Në këtë rrugë është e vendosur ura (vijadukti) më i gjatë në Ballkan. Ajo ka gjatësi të saktë 5814 metra. Kurse e gjithë autostrada ka gjatësi prej 65 kilometra. /Ndertimi.info/

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: