Autoriteti Kosovar i Konkurrencës vendos kundër Komunës së Prishtinës për kiosqet, gjen shkelje

Autoriteti Kosovar i Konkurrencës vendos kundër Komunës së Prishtinës për kiosqet, gjen shkelje

Komuna e Prishtinës gjatë muajit korrik pati vendosur t’i ndërrojë të gjitha kiosqet e kryeqytetit. Për këtë kishte shpallur edhe konkurs. Por, dy pika të këtij konkursi janë cilësuar si diskriminuese. Kjo përveç debateve, kishte çuar deri në anulim të konkursit. Autoriteti Kosovar i Konkurrencës kishte filluar hetimet ndaj komunës, ndërkaq sot ka dalë me vendimin se kjo e fundit ka bërë shkelje

Autoriteti Kosovar i Konkurrencës, i ka rekomanduar Komisionit Vlerësues të Ofertave për Dhënien në Shfrytëzim të Pronës së Paluajtshme në Komunën e Prishtinës, t’i rishikojë kushtet dhe kriteret e përcaktuara në Njoftimin Publik për dhënien e pronave për periudhën 15-vjeçare.

“Autoriteti Kosovar i Konkurrencës rekomandon Komisionin Vlerësues të Ofertave për Dhënien në Shfrytëzim të Pronës së Paluajtshme në Komunën e Prishtinës, i caktuar me Vendimin 01-020/04-194122/18, të datës 08.08.2018 nga Kuvendi i Komunës së Prishtinës, të rishikoj kushtet dhe kriteret e përcaktuara në Njoftimin Publik, të datës 15.06.2019, për Dhënien e Pronës së Palujtshme, në Shfrytëzim Afatshkurtër për Periudhën 15 vjeqare, për qoshqe”, thuhet në vendimin e AKK’së.

Ky institucion ka konstatuar se çdo kufizim ligjor apo faktik përmes kushteve dhe kritereve të caktuara për operatorët të cilët janë potencial për tu angazhuar në një veprimtari në një treg të caktuar nuk është e dëshirueshme, në zbatim të politikave të Konkurrencës.

“Komisioni i lartcekur në paragrafin (I) të këtij dispozitivi, duhet të ofrojë kushte të barabarta për transaksione të njëjta për operatorët ekonomik, duke i vendosur të njëjtët në gjendje të favorshme konkurruese përmes mekanizmave ligjorë”, theksohet në vendim.

Në njoftimin e Komunës së Prishtinës dy nga kushtet që duheshin plotësuar për të marrë në shfrytëzim një kioskë ishin që aplikuesi të ketë të hyra apo qarkullim prej 5 milionë eurosh ose më shumë në tri vitet e fundit dhe të ketë rrjet tregtar prej minimum 5 dyqaneve (marketeve) në Komunën e Prishtinës.

E pikërisht këto dy pika kishin ngjallur debate të shumta. Madje e tërë kjo situatë kishte çuar në anulim të konkursit.

AKK’ja kishte konfirmuar për Express se kanë nisur hetimet. Valon Prestreshi nga AKK’ja pati thënë për Gazetën Express se në departamentin e hetimeve në AKK është pranuar një ankesë kundër Komunës së Prishtinës lidhur me këtë çështje.

Ndërkaq Prokuroria pati thënë se nuk kanë pranuar padi nga askush për këtë çështje ndaj Komunës së Prishtinës.

Neni 4, mbi Parimet e dhënies në shfrytëzim të pronës së paluajtshme të komunës Nënparagrafi 1.3 thotë:

Parimi i trajtimit të barabartë të palëve – nënkupton se të gjitha palët në procesin e dhënies në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme të komunës, trajtohen në mënyrë të barabartë, duke shmangur çdo diskriminim ndaj palëve dhe duke vepruar në mënyrë objektive dhe të paanshme ndaj të gjithëve.

Në lajmërimin se kiosqet e kryeqytetit do të marrin pamje të re, Komuna e Prishtinës ka bërë të ditur se ato do të jenë në tri madhësi të ndryshme dhe do të vendosen në 36 lokacione të ndryshme të qytetit./GazetaExpress

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: