Keni fituar me kriptovaluta? ATK thotë se duhet të paguani tatim

Keni fituar me kriptovaluta? ATK thotë se duhet të paguani tatim

(EkonomiaSot) – Viti i kaluar u dominua nga lajmet për Bitcoin dhe kriptovalutat në përgjithësi. Ishte e pamundur të uleshe për të pirë kafe, pa dëgjuar biseda rreth temës së kriptovalutave, qoftë në tavolinën ku je ulur, apo në tavolinat afër teje.

Disa madje, që kishin blerë në kohën e duhur, kanë arritur të nxjerrin edhe fitime të majme nga tregtimi me kriptovaluta. Mirëpo kush fiton, edhe duhet të paguajë kontributet ndaj shtetit.

Në pyetjen që EkonomiaSot.com i ka dërguar ATK-së në lidhje me pagesën e tatimit në fitimin nga kriptovalutat, ata janë përgjigjur: “Deklarimin duhet ta bëjnë të gjithë ata që krijojnë të ardhura … Si çdo tatimpagues tjetër, edhe tek rastet kur kemi fitues nga kriptovalutat duhet të deklarohet dhe paguhet tatimi në të ardhura, nga ana e atyre që investojnë në këto valuta.”

Sipas përgjigjes nga ATK, të gjithë ata që kanë realizuar fitime janë të obliguar të deklarojnë tatimin deri me datën 31 Mars. Pra ka mbetur më pak se një muaj kohë për të kryer obbligimet që parashihen me ligj.

Sipas ligjit për tatimin mbi të ardhurat personale, shkallët e tatimit në të ardhura janë si vijon:

  • 0-960 euro në vit, 0% tatim
  • 961-3000 euro në vit, 4% tatim
  • 3001-5400 euro në vit, 8% tatim
  • mbi 5400 euro në vit, 10% tatim

Nëse gjatë vitit të kaluar keni pasur të hyra tjera (nga paga, qiraja, etj) që tejkalojnë 5,400 euro, atëherë ju paguani thjeshtë 10% tatim në fitim. Por nëse nuk keni pasur të hyra të tjera, atëherë ju rekomandojmë të lexoni udhëzuesin se si të llogarisni shumën e tatimit që obligoheni t’a paguani. / EkonomiaSot.com

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0