ASK poblikon të dhënat mbi eksportet dhe importet e vendit

ASK poblikon të dhënat mbi eksportet dhe importet e vendit

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin mars 2020.

Të dhënat nga Tregtia e Jashtme e Mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të ulët për (-15.3%) në muajin mars 2020, në raport me periudhën e njëjtët të vitit 2019, gjegjësisht në vlerë prej 219.9 milionë Euro, krahasuar me deficitin prej 259.6 milionë Euro në vitin 2019. Eksporti mbulon importin me 12.8%.

Eksporti i mallrave në muajin mars 2020 kishte vlerën 32.1 milionë Euro, ndërsa importi 252.0 milionë Euro, që është një rritje prej 8.8% për eksport, dhe një rënie prej (-12.8%) për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2019.

Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 43.8% të eksporteve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 12.6% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 7.8% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 6.9% e përbëjnë produktet minerale; 5.9% e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; 5.3% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, etj.

Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 14.6% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 12.8% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 10.1% e përbëjnë produktet e industrisë kimike; 9.9% e përbëjnë produktet minerale; 8.6% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 8.2% e përbëjnë produktet bimore; 6.7% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 6.6% e përbëjnë mjetet e transportit, etj.

Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 12.8 milionë Euro, ose rreth 39.8% e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 3.2%. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE janë: Gjermania (7.9%), Britania e Madhe (6.0%), Italia (4.9%), Suedia (4.6%), Holanda (4.6%), etj.

Importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 134.7 milionë Euro, ose 53.5% e importeve të përgjithshme, me një rënie prej (-7.2%). Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga: Gjermania (13.5%), Italia (5.8%), Greqia (4.7%), Kroacia (4.3%), Polonia (4.1%), Sllovenia (3.8%), etj.

Në muajin mars 2020, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 15.8 milionë Euro, ose 49.3% të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 13.4%. Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s ishin: Shqipëria (29.3%), Maqedonia e Veriut (9.5%), Mali i Zi (5.1%), dhe Serbia (4.0%).

Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-s, në muajin mars 2020, arritën në 28.8 milionë Euro, ose 11.5% të importeve të përgjithshme, me një rënie prej (-33.7%). Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Maqedonia e Veriut (5.7%), Shqipëria (4.3%), dhe Serbia (0.8%).

Ndërkaq, eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 3.4 milionë Euro, ose 10.9%. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport vlen të përmenden: Zvicra (5.6%) dhe Turqia (1.8%).

Ndërsa, importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 88.4 milionë Euro, ose 35.1%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia (13.1%) dhe Kina (7.8%).

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0