Arrestohen 5 persona në Prishtinë, transplantuan jashtëligjshëm organe njerëzore

Arrestohen 5 persona në Prishtinë, transplantuan jashtëligjshëm organe njerëzore

Pesë persona, punëtor të një klinike private në Kosovë, janë arrestuar nga ana e policisë me dyshimet se kanë kryer transplantim të kundërligjshëm dhe trafikim të organeve dhe qelizave njerëzore.

“Bazuar në informatat dhe hetimet e bëra paraprakisht, Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore (DHTQNJ) me datën 2 dhe 3 prill 2019 ka realizuar një operacion policor, që ka rezultuar me kontrollimin e një klinike private në rajonin e Prishtinës dhe me arrestimin e pesë (5) personave të dyshuar për kryerje të veprave penale: •“Transplantim i kundërligjshëm dhe trafikimi i organeve dhe qelizave njerëzore” •“Trajtimi i pandërgjegjshëm mjekësor” •“Bashkëkryerja”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës për këtë çështje.

Hetimet rreth këtij rasti sipas policisë kanë filluar disa muaj më parë dhe janë zhvilluar në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorinë Themelore, Departamenti për Krime të Rënda në Prishtinë.

Si prova materiale janë sekuestruar dosje mjekësore, libra të evidencave, 4 telefona mobilë dhe 500 euro para të gatshme.

Me vendim të Inspektoratit Shëndetësor, për arsye të gjetjes së parregullsive, është mbyllur reparti ku janë kryer shërbimet e IVF në këtë klinikë.

Ndaj katër të dyshuarve me urdhër të prokurorit ju është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh ndërsa njëri është liruar në procedurë të rregullt./

COMMENTS

WORDPRESS: 0