Arben Bashota dhe të tjerët dënohen me mbi 13 vjet burg për dallaveret me prona

Arben Bashota dhe të tjerët dënohen me mbi 13 vjet burg për dallaveret me prona

Tre të akuzuarit Arben Bashota dhe vëllezërit Osman dhe Sylejman Bajrami, të hënën, janë shpallur fajtorë nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Në rastin në të cilin është i shënjestruar për liberalizimin e vizave, për veprën penale të detyrimit, lidhur me veprën penale të bashkimit kriminal, i akuzuari Arben Bashota është dënuar me 6 vjet burgim, të cilit i caktohet menjëherë masa e paraburgimit.

Kurse, Osman Bajrami është dënuar me 4 vjet e 6 muaj burgim, kurse Sylejman Bajrami është dënuar me 3 vjet burgim, të cilëve gjithashtu do t’u llogaritet koha e kaluar në paraburgim.

Të akuzuarit Bashota i janë konfiskuar veturat “Chevrolet” dhe “BMË”, kurse nga të akuzuarit Osman Bajrami i është konfiskuar vetura “Audi A4”, derisa Sylejman Bajramit i është konfiskuar shuma prej 10 mijë euro.

Sipas kryetarit të trupit gjykues, gjykatësit Arben Hoti, për të gjitha këto, gjykata ka konsideruar dhe vërtetuar se janë dobi pasurore të përfituara me vepër penale.

Ndërkaq, të dëmtuarit janë udhëzuar në kontest civil, përfshirë edhe AKP-në.

Të akuzuarit janë obliguar t’i paguajnë edhe shpenzimet e procedurës, secili veç e veç, në shumë prej 500 euro.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), me 8 gusht 2016, kishte ngritur aktakuzë ndaj Arben Bashotes, Osman dhe Sylejman Bajrami, për shkak të veprës penale të krimit të organizuar, detyrim dhe falsifikim të dokumenteve.

Sipas aktakuzës së PSRK-së, tre të akuzuarit së bashku me të ndjerin Ruzhdi Shaqiri, dhe me disa persona tjerë të paidentifikuar, duke vepruar si grup kriminal në krye me të akuzuarin Bashota, gjatë periudhës kohore shumë vjeçare kishin kryer krime të rënda me qëllim të përfitimit financiar.

Në aktakuzë, thuhet se të njëjtit që nga viti 2004 kishin bërë presione të vazhdueshme në të dëmtuarit Murat Ternava, Hysen Shahini dhe Ismet Osmani, që ta lirojnë pronën kontestuese në sipërfaqe prej mbi 10 hektarësh, e cila gjendet në Fushë-Kosovë, rrugës për në Prishtinë, të cilën prone e kishte marrë në shfrytëzim i dëmtuari Tërnava për 10 vjet nga KBI Ndërmarrja Shoqërore “Bujqësia”.

Në këtë pronë, të dëmtuarit kishin ndërtuar objekte në vlerë prej me shumë se 5 milion euro.

I akuzuari Bashota pretendohet se kishte siguruar aktgjykimin e falsifikuar të Gjykatës Komunale në Prishtinë, i datës 21 shkurt 1997, sipas të cilit, kjo ngastër kadastrale i kthehej në pronësi personit Marko Mitroviq, si dhe një tjetër aktgjykim po ashtu të falsifikuar, me të cilin kinse Mitroviq e kishte autorizuar atë që në emër të tij të ndërmarrë veprime juridike.

Pas kësaj, Bashota me këto dokumente false kishte kërkuar regjistrimin e ndryshimeve pronësore në kadastër duke vënë ne lajthim drejtorin për Kadaster dhe Gjeodezi, i cili me 10 mars 2004, kishte marrë aktvendim që kjo ngastër kadastrale të kalojë në emër të personit Mitroviq Marko.

Në aktakuzë thuhet se të akuzuarit me përpjekje për të përvetësuar këtë pronë, kishin siguruar 6 kontrata të falsifikuara, sipas të cilave Marko Mitroviq pronën ia kishte shitur personave: Xhavit dhe Shemsije Bashota, Smajl Mehmeti, Xhyle Maraj, Viloleta Ahmeti dhe Myzafer Maliqi.

Duke përdorur këto dokumente, të akuzuarit kishin insistuar tek të dëmtuarit që ta lirojnë pronën, duke u paraqitur se toka ishte e tyre, dhe që nga viti 2007, kishin filluar të përdornin edhe kërcënime serioze për ti detyruar të dëmtuarit që te veprojnë në dëm të pasurisë së tyre.

Gjithashtu, në këtë rast ka qenë i akuzuar edhe Ruzhdi Shaqiri, por ai ishte vrarë në gusht të vitit 2014, në Skenderaj, për të cilin rast Gani Geci, më 3 qershor të vitit 2016, ishte dënuar nga Gjykata Themelore e Mitrovicës, me 4 vjet e gjashtë muaj burgim, por Gjykata e Apelit, në tetor të vitit 2017, ky rast ishte kthyer në rigjykim./Betimi për Drejtësi/

COMMENTS

WORDPRESS: 0