Analizë: Pagat e Qeverisë mund t’i rrisë vetëm Kuvendi

Analizë: Pagat e Qeverisë mund t’i rrisë vetëm Kuvendi

Për hir të argumentit, le të supozojmë se Qeveria ka bazë ligjore (ose të drejtë, në mungesë të bazës ligjore) për të marrë një vendim të tillë për rritje të pagave, si dhe le të vendosim anash edhe dilemën morale se a është dashur të rriten pagat kur kemi një gjendje të tillë sociale. Pra, le ta trajtojmë këtë çështje vetëm nga aspekti i zbatimit në praktikë.

I gjithë shpenzimi i parasë publike në Kosovë bëhet duke u bazuar në dy ligje, atë për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë (LMFPP), si dhe atë të Buxhetit Vjetor. I pari, pra LMFPP, shërben si udhërrëfyes për ndërtimin e kornizës buxhetore, kurse i dyti, ai i Buxhetit Vjetor përcakton kufijtë apo maksimumin që një organizatë buxhetore mund të shpenzojë brenda atij viti fiskal, dhe miratohet çdo vit me shumicë të thjeshtë të votave në Kuvend.

Shikuar nga aspekti i pagave, kur Kuvendi miraton Ligjin e Buxhetit Vjetor, në fakt ka miratuar shumën e lejuar që secili institucion (Qeveria, Kuvendi, Presidenca, Gjykatat, Prokuroria etj.) ka në dispozicion për kategorinë e pagave për atë vit fiskal.

Me fjalë tjera, Qeveria me këso vendime mund të caktojë nivelin e pagës mujore, por është Kuvendi ai që cakton pagën vjetore. Dhe këtu edhe i ngec sharra në gozhdë Qeverisë, sepse vendimi i saj megjithatë i nënshtrohet Ligjit të Buxhetit.

Për ta ilustruar më lehtë, le të themi që e kemi një Ministri ku i punësuari i vetëm është një ministër pa portofol. Dhe për thjeshtësi, le të themi që paga mujore e atij ministri ka qenë 1,000 euro në muaj, dhe me Ligjin e Buxhetit Vjetor për vitin 2018, atij i është miratuar paga vjetore prej 12 mijë eurove (12 muaj x 1,000 euro). Ndërkohë, Qeveria vendosë që këtij ministri t’ia rrisë pagën mujore për 50% duke filluar nga muaji janar e tutje.

Me vendim të Qeverisë, ministri pa portofol tani e ka pagën mujore 1,500 euro, mirëpo sipas Ligjit të Buxhetit (ende në fuqi dhe i pandryshuar), maksimumi i pagës që mund të marrë ministri brenda vitit 2018 është 12 mijë euro. Me këtë tempo, maksimumi i lejuar me Ligj të Buxhetit do të arrihet brenda 8 muajsh (8 x 1,500 = 12,000), dhe pas muajit gusht Ministria e Financave nuk do të jetë në gjendje të alokojë mjete tjera për pagën e ministrit, dhe ministri duhet të punojë pa pagë deri në fund të vitit.

E vetmja mënyrë që ministri ynë pa portofol të marrë pagën me rritje edhe pas gushtit, do të jetë nëse këtë e kërkon Qeveria përmes rishikimit të Ligjit të Buxhetit, i cili bëhet në muajin korrik, dhe atë rishikim e voton Kuvendi. Përndryshe, pa votën e shumicës së deputetëve të Kuvendit, ministri ynë pa portofol e ka opsionin të zgjedhë që ose t’i marrë dymbëdhjetë paga të vogla, ose vetëm 8 paga larta për tërë vitin. Shuma në fund të dhjetorit do të jetë e njëjtë.

Përfundimisht, rritja e pagave të zyrtarëve qeveritarë, dhe atyre të sistemit gjyqësor është në dorën e deputetëve, dhe këtë vendim mund t’a marrin ose jo gjatë rishikimit të Ligjit për Buxhetin në muajin e ardhshëm.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0