“Aksham pazari” i Pal Lekajt, favor të ri për Devollët (Dokumente)

“Aksham pazari” i Pal Lekajt, favor të ri për Devollët (Dokumente)

Ministri në largim i Infrastrukturës, Pal Lekaj, derisa po i numëron ditët e fundit në këtë dikaster qeveritar është kujdesur t’ia siguroj edhe një favor financiar kompanisë “Eurolab”, e cila udhëhiqet nga familja Devolli, raporton Portali “Front Online”.

“Front Online” posedon vendimin, të cilin me 29 gusht të këtij viti e ka nënshkruar Pal Lekaj, me të cilin obligohet matja e gazrave për mjetet rrugore të regjistruara, që klasifikohen jo me lartë se niveli EURO 5 për gazra dalëse nga data 1 shtator 2019.

Gjatë 10 ditëve të fundit kushdo që ka regjistruar automjetin është dashur të paguaj këtë shërbim 5 dhe 6 euro,  ndonëse sipas burimeve të besueshme të “Front Online” një pjesë e madhe e Qendrave të Kontrollit Teknik të Automjeteve nuk e posedojnë këtë pajisje adekuate, të cilën në treg thuhet se e kanë sjellë disa bashkëpunëtorë të vëllezërve Devolli nga Peja.

Por, vetëm 10 ditë pasi që vendimi ka hyrë në fuqi, Lekaj ka kërkuar nga “Eurolab”, respektivisht Qendra e Automjeteve e Kosovës (QAK) e cila është ne pronësi të vëllezërve Devolli që t’i njoftojnë Qendrat e Kontrollit Teknik në gjithë Kosovën që deri në një vendim tjetër qytetareve të mos u marrin nga 5 euro për kryerjen e kësaj matje të gazrave.

U grumbulluan 50 mijë euro pa u kryer shërbimi

Burime të besueshme të “Front Online” bëjnë të ditur se prej kohës kur ka filluar të zbatohet ky vendim e deri më tash Qendrat e Kontrollit Teknik të Automjeteve kanë arritur t’i grumbullojnë mbi 50 mijë euro pa kryer fare këtë shërbim. Një shërbim të tillë e ka bërë edhe Qendra e Automjeteve të Kosovës për Automjetet që e kanë kryer homologimin në këtë Qendër.

Në pikën një të vendimit të siguruar nga “Front Online” thuhet se obligohet matja e gazrave për mjetet rrugore të regjistruara, që klasifikohen jo me lart se niveli EURO 5 për gazra dalëse, nga data 1 shtator 2019.

Më tutje në pikën dy thuhet se matja e gazrave do të bëhet edhe për mjetet rrugore që janë subjekt i kontrollit të përshtatshmërisë me rastin importit të tyre në Republikën e Kosovës

“Obligohet subjekti për monitorimin profesional të Qendrave të Kontrollit Teknik të Automjeteve (QKTA) të administroj dhe përcaktojë individualisht mjetet që e kanë obligim t’i nënshtrohen matjes së gazrave sipas këtij vendimi”, thuhet në pikën 3 të vendimit.

Në pikën katër thuhet se obligohen QKTA-të  të bëjnë funksionalizimin e pajisjeve për matjen e gazrave sipas këtij vendimi dhe legjislacioni në fuqi.

“Obligohen QKTA-të, që në afat kohor deri me 01.09.2020, të pajisen me pajisje të nevojshme për matje sipas parametrave PN (cm-3) (Particle Number)”thuhet në pikën pesë të vendimit, raporton “Front Online”

Më tutje në pikën 10 të vendimit thuhet se tarifa për këtë shërbim për automjete është 5 euro, deri sa për kamionë 6 euro.

Por të martën përmes një e-maili që e ka siguruar “Front Online” Ministria e Infrastrukturës ka kërkuar nga Qendra e Automjeteve e Kosovës që të mos e aplikoj pagesën prej 5, respektivisht 6 euro deri në nxjerrjen e një vendimi tjetër

“Njoftohet ‘Euro-Lab’ QAK që të mos aplikoj tarifat sipas pikës 10 të vendimit nr.546/19 të datës 29.08.2019 të nxjerrë nga MIT për shërbimin e matjes së gazrave dalëse të automjeteve për kategoritë M1.N1,M2,M3,N2,N3  pasi që duhet të merret aprovimi të çmimorës në bashkëpunim me Ministrin e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Ministrin e Financave”, thuhet në vendimin e siguruar, raporton Front Online.

COMMENTS

WORDPRESS: 0