Ahmeti: S’mbaj inat me LDK e VV për Ekipin Negociator, do t’i realizoj premtimet që u dhashë prishtinasve

Ahmeti: S’mbaj inat me LDK e VV për Ekipin Negociator, do t’i realizoj premtimet që u dhashë prishtinasve

Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka shpallur jokushtetues Ekipin Negociator për bisedimet me Serbinë. Një ndër ish- kryesuesit e këtij ekipi ishte edhe Shpend Ahmeti, kryetar i Partisë Socialdemokrate dhe kryetar i Komunës së Prishtinës. Në një intervistë për Gazetën Express, Ahmeti ka treguar nëse do të bashkëpunojë me opozitën për rrëzimin e Qeverisë, planet e tij për kryeqytetin dhe nëse do të synojë edhe një mandat në këtë pozitë

Që nga përfshirja e tij në Ekipin Negociator, Ahmeti ishte kritikuar se e ka lënë anash kryeqytetin.Për kryeqytetin e Kosovës, Prishtinën, sfida më e madhe ende po mbetet komunikacioni. Ani pse shpejtë do të nisë ndërtimi i Parkingut Nëntokësor, kjo nuk e zgjidh krejtësisht problemin e qytetarëve me parkimin e veturave të tyre.

Kaosi me ndërtimet në lagjen Mati 1, kërkesa e doktorit Arsim Gërxhali për varrezat për qen e varrezat e dëshmorëve në lagjen Arbëria, janë disa nga çështjet që Ahmeti thotë se do të shqyrtohen e realizohen gjatë mandatit të tij.

Gazeta Express: Bashkë me LDK’në dhe Vetëvendosjen keni nisur përpjekjet për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj nëpërmpjet mocionit të mosbesimit, por në reagimin tuaj për zhbërjen e Ekipit Negociator keni thënë se këto dy parti opozitare e kanë sfiduar tentimin tuaj për të ia dhënë kompetencat dhe fuqinë vendimmarrëse Kuvendit. A do të vazhdoni të bashkëpunoni me këto dy parti për rrëzimin e Qeverisë, apo këtu ndërpritet çdo tentativë për rrëzim të PAN’it?

Po, sepse nuk kemi hyrë në politikë me inate. Mendoj se këto parti kanë gabuar sa i përket Delegacionit Shtetëror sepse prapë e kanë marrë kompetencën nga Kuvendi dhe e kanë kthyer tek individë si Thaçi e Haradinaj. Kjo nuk është e mirë për Kosovën. Megjithatë, kjo nuk e ndërron faktin se kjo qeveri duhet të rrëzohet dhe se kjo nuk mund të bëhet pa LDK e VV. Ashtu siç besoj që edhe ata e kanë kuptuar që kjo nuk bëhet pa PSD. Prandaj, bashkëpunimi është i domosdoshëm.

Gazeta Express: Si mendoni se do të shkojnë bisedimet tash e tutje? A janë zgjedhjet e vetmja alternativë për të dalë nga gjendja e krijuar?

Dialogu dhe kërkesat nga bashkësia ndërkombëtare kanë bërë që kjo temë ndoshta edhe ta mbajë këtë qeveri. Sepse kjo qeveri është shumë e kushtueshme për qytetarin e Republikës. E kushtueshme për shkak të shpenzimeve, skandaleve dhe mungesës së luftës kundër korrupsionit. Gjatë gjithë kësaj kohe na është thënë që dialogu përfundon në 6 muajt e ardhshëm, prandaj nuk kemi kohë për zgjedhje. Por, tash është pak më e qartë që nuk pritet diçka e shpejtë në 6 muajt e ardhshëm, e për këtë seriozisht duhet të punojmë në ndryshimin e situatës dhe zgjedhjet e reja.

Gazeta Express: Çka do të ndodhë me të gjitha organizimet që i keni bërë ju dhe bashkëkryesuesi i dialogut, që nga Ekipi Koordinator e deri te vizitat dhe takimet që i keni zhvilluar, cili është roli i tyre tash?

Platforma mbetet në fuqi si dokumenti kryesor udhërrëfyes për ata që do ta udhëheqin dialogun. Aty thuhet se nuk ka ndryshime kufijsh dhe nuk ka nivel të tretë të qeverisjes në Kosovë. Edhe të gjitha iniciativat e tjera janë aty për t’u vazhduar, por mendoj se platforma është dokumenti kryesor i cili duhet të ruhet me çdo kusht si drejtim i cilitdo përfaqësues të Kosovës.

Gazeta Express: Jeni kritikuar se me angazhimin tuaj në dialog e keni lënë anash Prishtinën, a do të angazhoheni më shumë në Kryeqytet apo përsëri do të kërkoni pozita për dialog?

Edhe gjatë angazhimit edhe tani e them që fokusi im kryesor ka qenë në Prishtinë. Përkrahja jonë si PSD për dialog, ka qenë që ta ndajmë interesin shtetëror nga ai partiak sepse dialogu me Serbinë nuk është një temë e thjeshtë zgjedhore por temë që kërkon unifikim të spektrit politik. Prandaj, pozita ime ka qenë politike me idenë që mund ta përfaqësojmë Kosovën më mirë. Megjithatë, dialogu u bllokua dhe më pastaj patëm edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese mbi kompetencat. Për neve ishte e qartë, që pa kompetenca nuk ka as delegacion prandaj edhe u tërhoqëm.

PSD do të vazhdojë që të mbajë qëndrim konstruktiv karshi dialogut, pra do të flasë për nevojën e unifikimit të spektrit politik dhe do të japë kontributin e saj përmes Grupit Parlamentar dhe tryezave politike. Ndërsa unë personalisht, do të vazhdojë fokusin tim në Prishtinë, me përqendrim edhe më të madh për të realizuar premtimet e vitit 2017.

Gazeta Express: Problemi më i madh në Prishtinë po vazhdon te jete komunikacioni. A keni ndonjë zgjidhje të shpejt për këtë problem para se të bëhet parkingu te Filologjiku?

Nuk është vetëm Parkingu te Filologjiku që do të përmirësojë komunikacionin. Së pari është implementimi i rregullores së Parkingut në krejt komunën e Prishtinës, me theks të veçantë në qendër ku do të ketë kufizimi kohore për jorezidentët. Do të kemi plotë rrugë njëkahore nëpër lagje si dhe konceptin e park and ride. Plani i mobilitetit i parasheh të gjitha këto dhe momentalisht jemi në fazën e diskutimeve publike para votimit të fundit në Kuvendin Komunal. Komunikacioni do të jetë temë e vazhdueshme, por do të kemi përmirësime të dukshme edhe në këtë fushë.

Gazeta Express: Çka do të ndodhë me Parkun përballë Filologjikut meqë aty ka drunj të vlefshëm për prishtinasit?

Ai park do të zgjerohet, sepse planifikohet edhe mbyllja e rrugës “Xhorxh Bush”, ku do të mbetet vetëm një korsi për autobusë. Pra parku do të zgjerohet gati deri te katedralja. Jemi duke vlerësuar blerjen e makinave të posaçme për zhvendosjen e përkohshme të drunjve në mënyrë që mos të dëmtojmë as edhe një dru ekzistues, përderisa do të rrisim numrin e drunjve të ri.

Gazeta Express: Kur jemi te parqet, çka është duke ndodhur me Parkun te Velania ku janë vendosur disa varre të dëshmorëve?

Ato janë të vendosura pa asnjë vendim të Komunës, apo të ndonjë institucioni tjetër. Tashmë këtë çështje e kam ngritur edhe me nivelin qendror që më mos të lejohen varrime aty. Këtë e kemi bërë në kohën kur nuk është fjala për ndonjë varrim sepse në momentet kur po kemi varrime apo rivarrime, vendi nuk po diskutohet. Për shkak edhe të banorëve, por për shkak edhe të mungesës së planifikimit, ai vend nuk duhet të jetë varrezë, dhe si e tillë duhet të ndalohen varrimet e mëtutjeshme në atë pjesë. Jemi të gatshëm të planifikojmë në varrezat e qytetit pjesë që janë të dedikuara për dëshmorë, veteran, dhe kategori të tjera të varrezave për njerëz meritorë.

Gazeta Express: Të shkojmë në lagjen Mati 1, aty ku po vazhdojnë ndërtimet dhe kaosi. Kur do të zgjerohet rruga Muharrem Fejza, a do të ketë ndonjë park në atë lagje?

Plani rregullativ i Mati 1 ende nuk është zbatuar. Ky plan që ka kaluar para vitit 2013, parasheh ndërtimet të cilat sot i shihni nëpër Mat. Meqenëse nuk kemi ligj për tokën ndërtimore, çështja e pronave për punë publike është më e vështirësuar. Rrugën që e keni marrë shembull, Muharrem Fejza e ka pikërisht këtë pengesë që kanë mbet edhe 30 ari të pashpronësuara, të cilat nuk janë shfrytëzu për koeficient, por që janë të domosdoshme për ta ndërtuar rrugën ashtu sic duhet. Tani kemi filluar këtë konceptin e ri të shpronësimit me koeficient, të cilin do ta zbatojmë sivjet në vazhdimin e rrugës B të rrethi i Muharrem Fejzës e deri te rruga A, e cila po ashtu është në projektim. Po ashtu po shqyrtojmë që disa rrugë t’i bëjmë njëkahore dhe besojmë se kjo do të lehtësojë dukshëm qarkullimin në atë pjesë.

Gazeta Express: Dikush kërkoi varreza edhe për qen. A do ta aprovoni një kërkese të tillë?

Ka qenë Dr. Arsim Gërxhaliu që ka nisur një iniciativë. Do t’i shohim mundësitë. Këtë vit e kemi prioritet strehimoren e Prishtinës dhe po ashtu parkun për qenë. Kur ti realizojmë këto të dyja, do të shohim edhe mundësitë për një kërkesë të tillë.

Gazeta Express: Çka ndodhi me premtimin tuaj për banesa me 250 euro në muaj për mësimdhënës dhe mjekë?

Në mandatin e parë ka qenë e bllokuar në Kuvendin Komunal. Tash kemi një situatë tjetër, kemi përfunduar projektin dhe gjatë muajit korrik do ta prezantojmë dhe do të hapim konkursin për rreth 700 banesa të tilla. Ky është projekti më i madh i banimit publik në Republikën e Kosovës. Është lagje e bukur me të gjithë infrastrukturën përcjellëse dhe me çmim të përballueshëm.

Gazeta Express: Pas përfundimit të mandatit tuaj në Prishtinë, a do të kandidoni edhe për një mandat të ri? A vlerësoni se e meritoni që prishtinasit të ua besojnë përsëri udhëheqjen e kryeqytetit?

Ka edhe dy vite e gjysmë deri në zgjedhjet e ardhshme. Unë jam maksimalisht i përkushtuar që t’i realizojmë gjithë ato zotime që i kemi dhënë në vitin 2017. Jemi duke u angazhuar ditë për ditë për këto. Janë edhe dy vite e gjysmë deri në përfundimin e mandatit tim si kryetar i kryeqytetit, që është mjaft kohë që t’i përmbush këto zotime. Dhe ka po aq kohë për të folur për rikandidimin tim. Mendoj që pavarësisht vendimit tim, prishtinasit e vlerësojnë më së miri se kujt duhet të ia besojnë udhëheqjen./GazetaExpress

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0