Afati i ri për t’ia larë borxhin Devollëve – paratë nxirren nga arka e shtetit

Afati i ri për t’ia larë borxhin Devollëve – paratë nxirren nga arka e shtetit

Deri më 15 qershor është shtyrë afati që ka Telekomi për të shlyer borxhin prej 25 milionë e 900 mijë eurosh ndaj kompanisë Z-Mobile të Blerim Devollit. Qeveria e Telekomi kanë pak kohë për të gjetur një alternativë për të dorëzuar pagesën. Afati për milionat përfundon pak ditë para kryerjes së kontratës, e kjo po shihet si shantazh për vazhdim të saj. Nga Telekomi, krye shefi ekzekutiv, Bedri Istrefi thotë se kryeministri shpëtoi falimentimin e kompanisë, sepse disa ministra e proklamonin atë. Sindikata në anën tjetër e sheh marrëveshjen si pazar të Devollëve, raporton Gazeta Express.

Kompania e Blerim Devollit, Z-Mobile, provoi shantazhin karshi Telekomit për pagesën e 25 milionë e 900 mijë eurove. Duke ditur se kjo shumë kishte pak gjasa që të paguhej në afatin e shkurtër që kishin dhënë, ata tashmë kanë dal me afat të ri.

Telekomi i Kosovës ka kohë që shumën ta bëjë gati deri më 15 qershor, pak ditë para përfundimit të kontratës. Nga shumica kjo po shihet si shantazh e kërcënim që kontrata të vazhdohet edhe për vite të tjera.

Kryeshefi ekzekutiv Bedri Istrefi në një prononcim për Gazetën Express ka folur për afatin që iu është dhënë në mbledhjen e djeshme si dhe për pritjet që kanë për dalje nga kjo situatë në të cilën momentalisht gjendet Telekomi.

“Jemi dakorduar me marrëveshje deri 15 qershor me e heq këtë vendimin që e kanë bërë 14 ditorë për ekzekutim të vendimit të Arbitrazhit.  Jemi duke negociuar edhe një farë forme me u hekë edhe një far presioni që ka ardhur ky njoftim në kohën ku ne kemi qenë duke negociuar ka qenë një presion edhe një lloj stresi i madh se nuk kemi pas as qysh me negociu, në njërën anë e kemi pas një njoftim për bllokim të llogarive që kish me qenë jo e mirë, në anën tjetër një kontratë që je i obliguar sipas Arbitrazhit tash po besoj e kemi më të lehtë”, thotë Istrefi. Ai shton se kanë formuar edhe një ekip ekspertësh të jashtëm që do të shikojnë se a do të vazhdohet kontrata edhe më tutje apo jo.

“Ne si Telekom i kemi disa masa shtesë, e kemi formuar një ekip ekspertësh të jashtëm që kanë me na mbështetë në aspektin ligjor që të mos bëjmë ndonjë gabim gjatë procesit të negocimit, edhe jemi në proces të përmbylljes së fazës me një kompani ndërkombëtare që ka me bë ekspertizë financiare do ta shohim në aspektin financiar ne si Telekom a kemi leverdi që të vazhdojmë tutje, apo nuk ka interes. Kur t’i kemi këto dy mendime të këtyre ekspertizave e kemi më lehtë që të dalim te një vendim”, thotë ai.

Istrefi shton se kanë bërë një kërkesë për garancion bankar nga Qeveria e Kosovës, derisa shton se po të mos ishte kryeministri, disa ministra, do të kishin lejuar falimentimin e kompanisë.

“Na e kemi bë një kërkesë për garancion bankar që të fillojmë investimet kapitale aty ku janë të domosdoshme dhe krijojmë njëfarë stabiliteti financiar dhe besoj që java e ardhshme do të jetë vendimtare që qeveria e Kosovës do të na aprovojë këtë garancion bankar, kryeministri është zotu e ka premtu jashtëzakonisht shumë që Telekomin nuk e lë me bankrotu, e për këtë e falënderojmë shumë se mos të kish me qenë gatishmëria e kryeministrit, sa për ministrat tjerë na e kemi pa që vetëm proklamojshin falimentim’, shton ai.

Dje, një ditë pa përfunduar afati që kishin dhënë Devollët është mbajtur mbledhje në mes të komitetit ndërministror, Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, bordit e ekzekutivit të Telekomit të Kosovës, ku morën pjesë edhe përfaqësues të Z –Mobile kryesuar nga Blerim Devolli.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka përmes një shkrimi në Facebook ka bërë të ditur pas takimit se ishin dakorduar që të krijohet një plan i ri për të kryer pagesat.

“Qëllimi kryesor i këtij takimi ishte që të largojmë presionin për inkasimin e mjeteve të vendosura nga arbitrazhi ndërkombëtar me vlerë prej 25.9 milionë EUR përmes përmbaruesve, gjë që do të bllokonte operimin e Telekomit të Kosovës dhe njëkohësisht, negociatat e obliguara në mes të palëve.

Kërkesa jonë si komitet ishte që të krijohet një mundësi e re për të dy palët që të punojnë në një plan program të ri të pagesave, pa e ndërlidhur me punën e negociatave dhe rezultatin final të tyre, pra mos të bëhet presion që negociatat të përfundojnë në favor të njërës pale”, shkroi Lluka.

Z-Mobile përmes një letre drejtuar kryeshefit të Telekomit i pati dhënë kompanisë vetëm dy javë kohë që të paguajë borxhin prej 25 milionë e 900 mijë euro, duke bërë të ditur se në të kundërtën do të përfundonin te përmbaruesit.

Sindikata e PTK-së thonë se ky është vetëm mashtrim

Lamih Balaj nga Sindikata e PTK-së, thotë  se krejt ajo se çka është dakorduar dje për Telekomin është pazari i pronarit të Z-Mobile, Blerim Devollit.

“Unë menjëherë pas lajmërimit nga mediat që është arritur një marrëveshje mes Telekomit dhe Z-Mobile kam komunikuar me krye shefin dhe ministrin dhe jam informuar që nuk ka ndonjë marrëveshje të shkruar, por, e gjithë kjo është bërë pasi që ka qenë takim ku kanë qenë të përfshirë Këshilli Ndërministror. Unë i kam bërë të qartë edhe njëherë ministrit dhe Krye shefit se lojërat e tilla nga Blerim Devolli dhe klani i tij janë të rrezikshme”, shton ai.

Balaj po thotë se sindikata e PTK-së, nuk e përkrahë asnjë lloj vazhdimi të marrëveshjes që mund të ndodhë pas 30 korrikut me Z-Mobile.

“Ne si sindikatë ju kemi bërë të qartë se kjo lojë e krimit të organizuar do të përfundojë me 30 korrik dhe nuk duhet ta merr askush guximin që të vazhdojë një kontratë të tillë përsëri sepse pasojat do t’i bartin së pari nënshkruesit e pastaj edhe Republika e Kosovës. Edhe njëherë ju bëjmë me dije që çdo dredhi e pronarit të Z-Mobile për shtyrje të borxhit dhe presionit për një kontratë të re për ne kjo punë tash më ka përfundu dhe do të mbyllet përfundimisht me datën 30 korrik me largimin e krimit të organizuar dhe kthimin e klienteles së plaçkitur në VALA”, përfundon ai.

Sindikata e PTK-së, patën paralajmëruar protesta të dhunshme në rast se nuk gjendej në marrëveshje për milionat e kërkuara  nga Z-Mobile.

 Ekspertët: Qeveria të shpëtojë Telekomin nga falimentimi

Naim Gashi, ekspert i ekonomisë thotë për Gazetën Express, se janë disa fusha ku duhet të trajtohen problemet që ka Telekomi i Kosovës.

“Qeveria si aksionare e saj në emër të qytetarëve, duhet ta shpëtojë Telekomin nga falimentimi sepse pasojat i kemi zinxhirore: ekonomike, sociale, të sigurisë, etj; Duhet të bëhet urgjentisht një auditim i pavarur ndërkombëtar i performacës, të shkëputen urgjent kontratat e dëmshme financiare dhe të sanohet likuiditeti i kompanisë; Iinstitucionet e drejtësisë duhet t’i hetojnë dhe gjykojnë të gjithë ata që kanë vendosur, kanë nënshkruar dhe zbatuar kontrata të dëmshme financiare, që quan në falimentimin e kompanisë më fitimprurëse publike; Logjika e krijimit të mbi 100 milionë euro fitim, në kurriz të pasurisë publike, me zero investim, duhet të merr fund”, shton ai.

Borxhi prej mbi 25 milionë euro që Telekomi i Kosovës i ka kompanisë “Z-Mobile”, ka të bëjë me mos përmbushjen e kontratës nga ana e Telekomit për dhënien e 100 mijë numrave të telefonit dhe shërbimeve të internetit 3G dhe 4G.

Telekomi i Kosovës është kompani publike e transformuar në shoqëri aksionare, në të cilën operon telefonia fikse dhe ajo mobile Vala. Operatori Vala ka mbi 1.2 milion konsumatorë në nivel vendi dhe dikur njihej si një nga ndërmarrjet më fitimprurëse në vend.

Hetimi i marrëveshjes së Telekomit me Z-Mobile kishte shkuar fillimisht në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, pastaj ishte përcjellë në Prokurorinë Speciale, e pastaj ishte kthyer përsëri në Themelore.

Përveç prokurorisë, edhe në Kuvend të Kosovës për këtë temë është ngritur një komision hetimor. Deputetët kanë hartuar një listë të personave që do të thirren në intervistim, duke paralajmëruar se që nga nesër (e premte) do të nisin intervistimet.

Të martën e ardhshme (me 14 maj) është paralajmëruar edhe mbajtja e një seance të jashtëzakonshme në Kuvend të Kosovës.

Kontesti në mes të kompanisë “Dardafon” dhe ndërmarrjes publike Telekomi i Kosovës zanafillën e ka në marrëveshjen e lidhur më datë 16 janar 2009. Marrëveshja parashihte që “Z-Mobile” të jetë operator virtual i telefonisë mobile “Vala”. Mospajtimet në mes të dy palëve nisën kur “Z-Mobile” kërkoi numeracion shtesë, pra më shumë se 200 mijë numra sa i ishin ndarë në fillim. Mospajtimet përfunduan në Arbitrazh. Në vitin 2015, “Z-Mobile” (Dardafon) iu drejtua Arbitrazhit pasi pretendonte se Telekomi i Kosovës po bënte shkelje të marrëveshjes pasi refuzonte t’i ndajë numra shtesë dhe të ofronte shërbime 3G dhe 4G.

Tribunali i Arbitrazhit pranë Odës Ekonomike Ndërkombëtare, sipas padisë së kompanisë “Z-Mobile”, më 9 dhjetor 2016 vendosi në favor të kësaj kompanie.

Sipas vendimit të Arbitrazhit, Telekomi i Kosovës obligohej që t’i alokonte numeracion shtesë “Z-Mobile”-it, si dhe t’i ofronte shërbimet 3G dhe 4G. E për dëmin e shkaktuar, Arbitrazhi e obligonte Telekomin që t’i paguante rreth 30 milionë euro gjobë në emër të shpërblimit të dëmit, fitimit të humbur dhe shpenzimeve të procedurës së Arbitrazhit./GazetaExpress

COMMENTS

DISQUS: 0