AAK “nuk i frikësohet iniciativës së LDK-së për mocion ndaj Qeverisë Haradinaj”

AAK “nuk i frikësohet iniciativës së LDK-së për mocion ndaj Qeverisë Haradinaj”

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e cila qeverisë me vendin, thotë se nuk i frikësohet iniciativës së LDK-së për mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë Haradinaj.

Zyrtar të kësaj partie i kanë thënë Radio Kosovës se mocioni është e drejtë kushtetuese e secilit subjekt politik, por, në këtë rast, qasja e opozitës nuk është aspak serioze, përderisa nuk i ka votat e mjaftueshme për të ndërmarrë një iniciativë të tillë.

Iniciativën e Lidhjes Demokratike të Kosovës për mocion mosbesimi ndaj Qeverisë Haradinaj, partia që udhëheq qeverinë e vendit, nuk e merr edhe aq serioze. Deputetja e AAK-së Teuta Haxhiu i ka thënë Radio Kosovës se nëse LDK-ja, por edhe subjektet tjera opozitare e kanë seriozisht këtë çështje, atëherë le të ndërmarrin veprime dhe mocionin ta sjellin në Kuvend.

“Opozita le të veproj rreth iniciativës së LDK-së. Por, veprimi nënkupton atëherë kur opozita vërtetë është e bashkuar. Në këtë rast opozita nuk është bashkë ngase kanë probleme të brendshme, pothuajse të gjitha subjektet politike. Dhe tani, opozita nuk duhet të proklamojë por të veprojë nëse i kanë numrat”, tha Haxhiu.

Deputetja Haxhiu thotë se koalicioni qeverisës aktualisht është duke funksionuar mirë, pavarësisht asaj që koalicioni përballet me mungesë të votave në Kuvend. Kjo është parë edhe në seancat e fundit, ku për shkak të mungesës së kuorumit për vendimmarrje nuk u votuan shumë projektligje.

“E kemi parë edhe në seancat e fundit që opozita nuk i ka votat. Por, njëkohësisht edhe ne si opozitë nuk është që kemi vota më shumë. Në këtë rast, ne do të duhej që bashkërisht të ulemi dhe të bisedojmë për të mirën e vendit dhe, në këtë situatë që ndodhet Kosova, konsensusi politik është më se i nevojshëm”, tha Haxhiu.

Në anën tjetër, Partia Socialdemokrate tashmë i ka dorëzuar edhe zyrtarisht nënshkrimet për të iniciuar mocion mosbesimi ndaj qeverisë Haradinaj. Zëdhënësja e kësaj partie Natyra Kuçi, ka thënë se një mocion i tillë duhet të iniciohet vetëm pasi të sigurohen votat e mjaftueshme për rrëzimin e qeverisë.

“Ne jemi deklaruar që në fillim se një mocion për rrëzim të qeverisë niset kur të jenë të siguruara votat e duhura, pra 61 sosh. Përndryshe, nisja e një mocioni pa i pasur votat e duhura vetëm sa i zgjat jetën qeverisë edhe për një periudhë të caktuar. Sidoqoftë, PSD ka ofruar nënshkrimet e saj për këtë mocion dhe jemi e vetmja parti opozitare që e ka bërë këtë”, tha Kuçi.

Ndërkohë, LDK-ja po synon që përmes mocionit të mosbesimit, të rrëzojë qeverinë që po udhëhiqet nga kryeministri Ramush Haradinaj. Kjo parti ka bërë të ditur se po koordinon aktivitetin opozitar, për të ndaluar degradimin e shtetit dhe për të mundësuar zgjedhje të lira që do të nxjerrin një qeveri të re.

Lexo edhe:

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0