A po bëhet suxhuku me mish të kuajve të sëmurë në Kosovë? AVUK-u dhe policia nisin hetimet

A po bëhet suxhuku me mish të kuajve të sëmurë në Kosovë? AVUK-u dhe policia nisin hetimet

Një tregtar nga Ferizaj, po pretendon se në tregjet e kafshëve nëpër Kosovë po shiten kuaj, mishi i të cilëve po përdoret për përpunimin e suxhukut. A.Z. ka thënë të dielën për Gazetën Express se ka raste kur në këto tregje shiten kuajt e sëmurë, e sipas tij edhe ata përpunohen për ngrënie. Pas raportimeve të Express, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka nisur hetimet

Në sofrat e kosovarëve pothuajse asnjëherë nuk mungojnë produktet e mishit, kryesisht të gjedheve.

Por, tregtari A.Z. nga Ferizaj ka ngjallur shqetësim tek qytetarët, pasi ka thënë se kosovarët po hanë suxhuk i cili përveç mishit të lopës, po përbëhet edhe nga ai i kalit.

“Unë për veti nuk kam shitë bash për suxhuk, por ne i shesim në treg, me thënë ashiqare nuk shkojnë tinëz asnjë, ne i qesim në treg në Ferizaj, te vaga shkojnë i matin ka 70 centë me kile, në treg të Vitisë e në përgjithësi në krejt Kosovën. Në krejt tregjet e Kosovës, ku shiten kuajt, shiten edhe të punës edhe të mishit. Kryesisht shkojnë kuajt që janë të sëmurë, kanë një këmbë të vrarë ose qysh i themi ne “teknefez” që i ka mushkëritë e prishta. Po tash aty shiten ndoshta 5 të mirë e 10 të këqij”, ka deklaruar ai.

E pretendimet e A.Z. kanë çuar në këmbë Inspektoratin, Policinë e Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë.

Në një përgjigje për Gazetën Express, AVUK ka thënë se janë njoftuar të gjitha institucionet përgjegjëse dhe po hetohet rasti.

“Për rastin konkret në momentin qe të dihen adresat ku bëhen veprimet e supozuara në koordinim me autoritet tjera ne do të veprojmë. Koordinatori i Zyrës regjionale t’ AUV-së në Ferizaj është në kontakt të vazhdueshëm me Policinë në ketë komunë dhe ka njoftuar për dyshimin i cili është ngritur ne media”, ka thënë zyrtari për informim i AVUK’ut, Lamir Thaçi.

Thaçi ka deklaruar se AVUK’u deri më tani nuk ka pranuar ankesa nga konsumatorët se ndonjë operator biznesi merret me përpunimin e mishit të kalit.

Ai ka shtuar se AVUK bën kontrolle të vazhdueshme nëpër thertoret dhe fabrikat e përpunimit të mishit, por nuk kanë hasur ndonjëherë në therje apo përpunim të mishit të kalit.

Thaçi thotë se thertoret e licencuara në Kosovë në kategoritë e kafshëve të cilat i therin nuk kanë të deklaruar therjen e kafshëve të llojit të kuajve.

“Po ashtu këto thertore gjatë orarit të punës kur kryejnë therje kanë prezent një veterinarë zyrtarë i cili kryen kontrollin shëndetësor të kafshës para therjes gjatë procesit të therjes dhe pas therjes dhe të gjitha therjet i raporton ne sistem. Po ashtu aty theren vetëm kafshët të cilat nuk janë ilegale. Ne deri me tani nuk e kemi të raportuar si të therur, asnjë kafshë të llojit të Kalit”, ka deklaruar Thaçi.

Tutje Thaçi ka theksuar se therjet ilegale janë veprime të paligjshme dhe hetohen nga organet ndjekëse. Ai ka bërë thirrje që në të tilla raste të lajmërohet policia.

Express ka kontaktuar edhe zyrtarë të Inspektoratit në komunën e Ferizajt. Ata kanë deklaruar se lidhur me këtë rast po bashkëpunojnë me policinë dhe Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0