A i ka mbetur ndonjë rrugë Telekomit – Përmbaruesi ia përmend afatin

A i ka mbetur ndonjë rrugë Telekomit – Përmbaruesi ia përmend afatin

Dardafoni i Blerim Devollit përmes përmbaruesit i ka dhënë kohë Telekomit të Kosovës vetëm shtatë ditë që të bëjnë kthimin e 25.9 milionë eurove të arbitrazhit. Duke pasur parasysh gjendjen në të cilën gjendet momentalisht kompania publike, një gjë e tillë do të thotë rrugë e shpejt drejt falimentimit, edhe pse në Qeverinë e Kosovës që mori përsipër të ndihmojë në larje të borxhit nuk po e shohin si shqetësim. Për Gazetën Express kanë folur nga Sindikata e PTK-së, përmbaruesi, Ilir Mulhaxha, e kryetari i komisionit hetimor për gjendjen në PTK dhe VALA, Visar Ymeri.

Në maj të këtij viti, kompania Dardafon e udhëhequr nga Blerim Devolli përmes një letre të dërguar te krye shefi i Telekomit, Bedri Istrefi, i dha kësaj kompanie vetëm dy javë kohë për t’ia paguar 25 milionë eurot, në të kundërtën kërcënoi me procedurë të përmbarimit.

Kjo mobilizoi liderët në vend, që premtuan se një skenar i tillë nuk ka shanse të ndodhë, e se duke pasur parasysh gjendjen nëpër të cilën po kalon PTK-ja për të larë borxhin do të mobilizohej edhe Qeveria, e kjo do të bëhej në koordinim.

Kështu afati i fundit, ishte mesi i qershorit. Deri atëherë, Blerim Devolli dha kohë deri në gjetjen e një zgjidhje përfundimtare.

Për krejt këtë kohë, u diskutua që zgjedhja të ishte kështu: Derisa shuma të kryhej, kompanisë së Blerim Devollit do t’i lahej borxhi duke ia dhënë nga 300 mijë euro në muaj, ka mësuar Gazeta Express nga burime mirë të informuara.

Mirëpo, askush nuk e di pse ky propozim që u dorëzua nga Telekomi nuk u mbështet nga Qeveria, e s’u pranua nga Dardafoni. Këta të fundit, pas kalimit të afateve, vendosën që të hënën ta dërgojnë këtë çështje në dorë të përmbaruesve.

Pas publikimit nga Express të lajmit se çështja ka përfunduar te përmbaruesi, reagoi krye shefi i Telekomit, Bedri Istrefi. I njëjti përmes Facebook-ut tha se Telekomi do të ndjekë të gjitha rrugët dhe mjetet ligjore që të prapësohet ky propozim për përmbarim.

Se do të shfrytëzohen instrumentet ligjore, tha sot në një paraqitje nga Suhareka edhe shefi i ekzekutivit, Ramush Haradinaj. Teksa ka shtuar se ky nuk është vendim final, kreu i Qeverisë tha se është kërkuar një kërkesë për pagesë graduale, por, që ai nuk e ka sqaruar pse një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Kaq me qetësi si kryeministri krejt këtë situatë në të cilën ndodhet PTK-ja nuk po e shohin punëtorët e kësaj kompanie.

Lamih Balaj, kreu i sindikatës  së PTK-së ka thënë sot për Gazetën Express se po vazhdon zhvatja e Telekomit.

“Një kompani e tillë që e ka zhvat buxhetin e Kosovës me njerëz kriminel brenda dhe jashtë saj me njerëz të inkriminuar nuk pret diçka ma mirë prej tyne po se si me zhvat një ndërmarrje publike po unë ju boj me dije të gjithëve dhe atyre që e kanë dërgu në përmbarim. Institucioneve u bëjë me dije që Z Mobilie nuk do të jetë më në Telekom sepse kërkesa në përmbanim nuk mundet me u vazhdu me një kontratë aq të madhe korruptive tashmë secili lider i partive politike e ka njeriun e vet në komisonin hetimor dhe secili e dinë se çka ka ndodhur në Telekom”, ka thënë Balaj, derisa ka shtuar se janë 3500 familje që rrezikohen nga gjendja në të cilën është Telekomi.

“Jemi 3500 familje që mujm me rreziku dhe mundet me u rreziku vet shteti, nuk do lejojmë që pronarët e fëlliqte të Z mobile me vazhdu atë kontratë. Në fund do e shohim se kush do të del më fitimtar, ne punëtorët apo njerëzit si pronarët e Z Mobile që janë të inkriminuar me krim të organizuar. Mbetet te organet e drejtësisë nëse janë të pa kapura dhe pa korruptuara me pa se qysh i ka fitu paratë Z-Mobile sepse po i kërkon 30 milionë kurse vet ka deklaru që fitime i ka pasur vetëm 5 milionë”, ka shtuar ai.

Gazeta Express sot gjatë tërë ditës ka provuar që të kontaktojë Ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Llukën, por, që ky i fundit nuk ka qenë i qasshëm.

Ministri Lluka ka qenë shumë i zëshëm sa i përket borxhit të Telekomit ndaj Z-Mobile duke thënë se nëse kërkohej pagesa kjo kompani publike do të falimentonte. Ai saktësonte se kjo ndërmarrje nuk ka kapacitete që të kryej borxhin, derisa ka përmendur procedurat e privatizimit.

Derisa avokatët e kompanisë Dardafon gjatë ditës nuk qenë të qasshëm në telefon, Express ka biseduar me përmbaruesin që e ka këtë rast.

Në një prononcim për Gazetën Express, përmbaruesi, Ilir Mulhaxha ka deklaruar se janë vetëm 7 ditë në të cilat Telekomi ka afat për kthim të këtyre mjeteve.

“Ka qenë mediale kjo. Ju jeni të informuar që është iniciuar procedura përmbarimore vazhdohet procedura, janë mjetet juridike, 7 ditë i kanë afat kthimin me bo. Janë mjetet juridike, është dokument përmbarimor, ekzekutiv, vendimi i arbitrazhit është i pakontestueshëm, është bërë një pompozitet i panevojshëm medial sepse drejtori i plotëson kushtet për me e inicu procedurën përmbarimore”, deklaroi Mulhaxha.

“Mohimi i drejtorit për mos me nis procedurën përmbarimore nga përmbaruesi është vepër penale, ne jemi zbatues të përmbarimit ne nuk hyjmë në atë se çka është problemi ne na intereson dokumenti përmbarimor a i plotëson kushtet.

I ka plotësuar kushtet, njohjen e vendimit e ka bërë gjykata, kjo procedurë ka zgjatë 1 vjet e gjysmë në Gjykatat tona”, ka shtuar përmbaruesi Mulhaxha.

I njëjti po deklaron se nuk ka asnjë lidhje fakti që ky është vëllai i deputetës së Vetëvendosjes, Fatmira Mulhaxha-Kollcaku, e shton që s’ka asgjë të bëjë me politikë.

“Ajo ska absolutisht të drejtë, mediat donë të bëjnë spektakël, motra jeme dihet qëndrimi i VV çka mendojnë s’du me hi në politikë se nuk jam politikan. S’ka të bëjë kurrgjë me politikë”, ka përfunduar ai.

Ajo se çka po ndodh me fatin e PTK-së ka kohë që ka mobilizuar edhe kuvendin e Kosovës. Para komisionit hetimor të krijuar për gjendjen në PTK dhe Vala është krijuar edhe një komision, e para tyre deri më tani kanë raportuar disa persona, përfshirë këtu edhe Blerim Devollin.

Në një prononcim për Gazetën Express edhe Visar Ymeri, kryetar i komisionit hetimor për gjendjen në PTK dhe Vala.

Ymeri po thotë se i vetmi shpëtim për Telekomin është ndihma e Telekomit nën mbikëqyrjen e Kuvendit të Kosovës, teksa shton se kontrata me Z-Mobile nuk duhet të vazhdohet.

“I vetmi shpëtim i Telekomit është ndihma nga Qeveria e Kosovës, nën mbikëqyrjen ekskluzive të Kuvendit në mënyrë që ajo të revitalizohet. Kontrata me Z Mobile nuk duhet vazhduar, ndërkohë që Telekomi duhet të kujdeset qe numrat që aktualisht i ka nën shfrytëzim Z Mobile të kthehen në përdorim të Telekomit. Telekomi duhet të riorganizohet për shkak të vështirësive financiare”, ka thënë deputeti. Ai ka treguar edhe humbjet që kompania publike i ka pasur si pasojë e kontratës me Devollët.

“Posta dhe Telekomi i Kosovës në vitin 2009 kishte fitim prej 44 milionë euro, ndërsa në vitin 2010 kishte fitim prej 33 milionë euro. Për një vit, humbjet arritën në 11 milionë euro. Për 10 vite të kaluara, asnjë gjë nuk ka ndryshuar. Shuma plus në vitin 2009 u shndërrua në minus në vitin 2019. As qindra, as mijëra, e as milionë të hyra në PTK. Vetëm humbje. Shembull, gjatë vitit 2017 Telekomi i Kosovës e përmbylli vitin me një humbje financiar vjetore prej 13.9 milion euro, ndërsa në vitin 2018 humbjet mbërrin në 14,442 milion euro”, ka përfunduar ai.

Gazeta Express dje ka raportuar se Blerim Devolli e ka dërguar te përmbaruesi Telekomin për borxhin prej 25 milionë euro, derisa kompania publike për të kthyer këto të holla ka 7 ditë kohë.

Më 25 janar të vitit 2016, Z-mobile e dërgoi Telekomin e Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit.

Kompania që udhëhiqet nga Blerim Devolli fillimisht përmes kësaj Gjykate kërkoi që Telekomi t’ia paguante 44 milionë euro dëmshpërblim. Këto para, kompania i arsyetoi duke thënë se Telekomi e dëmtoi atë qëllimisht. Z-mobile pretendonte që gjithë këto dëme iu shkaktuan gjatë periudhës 2011-2014.

Njëri prej dëmeve më të mëdha të cekura në padi, sipas Z-Mobile ishte problemi me ofrimin e shërbimit 3G dhe 4G, si dhe ndarja e disa Sim Kartelave dhe numrave mobil, që Telekomi do të duhej të bënte ndaj Z-mobile. Asnjëra prej këtyre obligimeve sipas padisë nuk ishte përmbushur.

Aty theksohej se Telekomi drastikisht reduktojë kualitetin e shërbimeve vetëm për konsumatorët e Z-mobile. Kjo shifër prej 44 milionë eurosh të kërkuara në Arbitrazh, tashmë ka zbritur në 25 milionë e 900 mijë euro./GazetaExpress/

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: