A do t’i ndëshkojë Qeveria mësimdhënësit në pagë, për orët e humbura gjatë grevës?

A do t’i ndëshkojë Qeveria mësimdhënësit në pagë, për orët e humbura gjatë grevës?

Greva në arsimin publik të Kosovës e cila ka filluar para nëntë ditësh, ende po vazhdon. Mësimdhënësit po kërkojnë që koeficienti i pagave të rritet për 30 për qind, e kjo të ndryshohet në Projektligjin për Paga. Kryeministri i Kosovës iu ka propozuar mësimdhënësve rritje të pagave për 48 euro, mirëpo këtë ofertë të tij nuk e ka pranuar SBAShK’u. Gazeta Express ka biseduar me njohësin e arsimit, Dukagjin Popovcin, i cili ka thënë se pjesëmarrje në grevë është një e drejtë e patjetërsueshme, ashtu siç është edhe e drejta për të hequr dorë nga ajo

Popovci ka thënë po ashtu se orët e humbura duhet të zëvendësohen nëse mësimdhënësit paguhen për ditët e humbura në grevë, e nëse ata nuk paguhen mund edhe të mos i zëvendësojnë. Gjithashtu ai ka përmendur faktin se Qeveria mund t’i ndëshkojë mësimdhënësit nëse edhe pas pagesës vendosin të mos i zëvendësojnë orët e humbura.

“Teorikisht ndëshkimet gjithnjë mund të ndodhin, se nëse një punëtor paguhet për një punë dhe nuk i kryen detyrat e veta atëherë mund t’i ndalet rroga e radhës, ose të penalizohet në mënyra të ndryshme, mund të largohet nga puna. Unë nuk dyshoj që do të ndodhë pagesa, sepse nuk shoh tek qeveritë e Kosovës të shkojnë me masa aq radikale sepse përndryshe mund t’i hapin vetës probleme të reja”, është shprehur ai.
Për këtë, ai ka thënë se Qeveria ligjërisht edhe mund t’i ndalë pagat, nuk ka marrë ndonjë vendim për këtë por mund ta bëjë. Por besoj se atëherë do të përballemi me një revoltë të cilën nuk e dëshiron, prandaj kjo edhe mund të jetë arsyeja që nuk vepron ashtu.

Mirëpo, për ndonjë ndëshkim të mundshëm të mësimdhënësve, Qeveria ende nuk është prononcuar.

Popovci e ka komentuar edhe vendimin e kryeministrit Haradinaj që mësimdhënësve t’u rriten pagat për 48 euro. Ai ka thënë se në fakt mësimdhënësit po kërkojnë rritje të koeficientit dhe këtë po e bëjnë për t’u ranguar në vendin e merituar karshi shtresave tjera.

“Për aq sa e kam kuptuar kërkesën e punonjësve të arsimit, ata kërkojnë që të rritet koeficienti, por jo me doemos që të ngritët paga. Madje edhe SBAShK’u e ka thënë se ne pajtohemi që të zvogëlohet vlera e koeficientit, pagat të mbesin aq sa janë, mirëpo në krahasim me kategoritë e tjera të punonjësve të mos jemi ku jemi tash”, ka thënë Popovci.

Ai ka thënë se kërkesa e SBAShK’ut për rritje të koeficientit 30 për qind, Popovci ka thënë se është e drejtë kërkesa për rritje të këtij koeficienti sa i përket arsimit parauniversitar, por jo edhe atij universitar. Sipas tij, pagat e profesorëve të Universiteteve në Kosovë janë tashmë më të lartat në rajon.

Ndërkaq ai ka theksuar se dëmi më i madh po u bëhet fëmijëve, mirëpo sipas tij çdo grevë ka dëmin e saj. Gjithashtu ai ka thënë se edhe zëvendësimi i orëve është njëfarë dëmi, sepse fëmijët tash duhet të jetë në shkollë e jo në korrik. Sido që të jetë është dëm më i vogël nëse orët zëvendësohen sesa nëse nuk zëvendësohen fare.

Ai po ashtu, ka thënë se në gjithë këtë situatë, po harrohet se mbi 70 për qind e të punësuarve në Kosovë punojnë në sektorin privat, ku pagat janë shumë më të ulëta se në atë publik. E me taksat e tyre po rriten pagat e sektorit publik dhe hendeku ndërmjet këtyre dy sektorëve po rritet vazhdimisht.

Popovci ka thënë se në kushtet e tanishme, si zgjidhje e sheh tërheqjen e Projektligjit për Pagat, ruajtjen e pagave në nivelin e tanishëm dhe zvogëlimin e pagave të zyrtarëve të lartë në nivelin e shteteve të rajonit, sepse ajo rritje si duket i ka irrituar të gjitha sindikatat dhe i ka rritur pritjet e të gjitha kategorive të punonjësve.

Ndërkaq, për ndikimin politik që mund ta ketë kjo grevë, Popovci ka thënë se edhe mund të ketë lojëra politike, pasi sipas tij me disa veprime të SBAShK’ut, nuk po arsyetohet paanshmëria politike në këtë grevë.

“Këtu mund të ketë lojëra politike. Unë nuk dua të paragjykoj dhe të them se pas SBAShK’ut mund të qëndrojë dikush i cili po i tërheq penjtë, por edhe dyshime të tilla janë ngritur në opinion. Me disa veprime që po i bën, nuk po e arsyeton një gjë të tillë, siç është p.sh. kërkesa irracionale për rritje 30 për qind të koeficientit në arsimin e lartë, pra po duket se aty tash po shpërfaqen edhe interesat e disa njerëzve të tjerë të cilët tashmë i kanë pagat shumë të mira dhe dëshirojnë të krahasohen ku ta di unë me ministra a kryeministra, apo në çfarëdo mënyre tjetër insistojnë që edhe koeficientet e tyre të rriten”, ka përfunduar Popovci./GazetaExpress

 

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0