A do të kemi përsëri zgjedhje nëse tërhiqet Lista Serbe nga qeveria?

A do të kemi përsëri zgjedhje nëse tërhiqet Lista Serbe nga qeveria?

Pas ngjarjeve të sotme ku u arrestua Marko Gjuriq për hyrje ilegale në Kosovë, Lista Serbe është deklaruar se do të tërhiqet nga koalicioni qeverisës.

Problemi i parë që lind është se me tëheqjen e Listës Serbe nga qeveria, tërhiqen edhe ministrat serbë. Kushtetuta e parasheh që qeveria të ketë së paku një ministër nga komuniteti serb, mirëpo në rastin aktual, ky problem eklipsohet nga problemi tjetër më i madh i kësaj qeverie, mungesa e numrave.

Në Kuvendin e Kosovës Lista Serbe i ka gjithsej 10 vota. Marrë parasysh që edhe me votat e Listës Serbe koalicioni ishte mjaft i brishtë dhe mezi e kalonte numrin 60, një tërheqje eventuale e tyre nga qeveria do të nënkuptonte fundin e Qeverisë Haradinaj.

Çka parasheh Kushtetuta në një rast të tillë?

Kushtetuta nuk ka gjuhë që përcakton rënien e një qeverie në rastin kur nuk i ka më votat. Kjo i bie se qeveria nuk bie me automatizëm vetëm pse nuk i ka 61 deputetë. Mirëpo Kushtetuta e njeh mekanizmin e mocionit të mosbesimit, i cili mund të niset me 40 nënshkrime të deputetëve.

Në rast të ngritjes së mocionit të mosbesimit, dhe kalimit të tij me 61 votat e nevojshme, qeveria llogaritet e rrëzuar, apo në dorëheqje, sic e quan Kushtetuta.

Në një rast të tillë të rrëzimit të qeverisë, shpërndardja e parlamentit mund të bëhet në dy mënyra:

  1. nëse brenda afatit prej gjashtëdhjetë (60) ditësh nga dita e caktimit të mandatarit nga Presidenti i Republikës së Kosovës, nuk mund të formohet Qeveria; 
  2. nëse për shpërndarjen e Kuvendit votojnë dy të tretat (2/3) e të gjithë deputetëve, shpërndarja bëhet me dekret të Presidentit të Republikës së Kosovës; 

Me fjalë tjera, ose Kuvendi duhet të votojë me 80 vota për shpërndarjen e deputetëve dhe shkuarjen në zgjedhje të reja, ose Presidenti duhet të caktojë një mandatar tjetër për formimin e qeverisë.

Shkuarja në zgjedhje në këtë kohë duket të jetë opsion me probabilitet të vogël. Marrë parasysh që ende nuk është bërë një vit nga zgjedhjet e fundit nacionale, por edhe duke marrë për bazë gjendjen e partive politike, vështirë të besohet se do të kenë vullnetin të shkojnë përsëri në zgjedhje.

Në anën tjetër, caktimi i mandatarit të dytë deri më tani nuk është ushtruar asnjëherë, por me gjasë që mund ta shohim në zbatim kësaj radhe. Në këtë rast, do të ishte interesante të dihej se cili do të ishte i mandatuari i dytë.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0