36 pacientë me COVID-19 në Infektivë, pesë në gjendje të rëndë, për pesë të tjerë po priten rezultatet

36 pacientë me COVID-19 në Infektivë, pesë në gjendje të rëndë, për pesë të tjerë po priten rezultatet

Në Klinikën Infektive të QKUK’së për momentin janë duke u trajtuar 36 pacientë të cilët kanë rezultuar pozitiv me Covid-19, apo siç njihet ndryshe koronavirus. Prej tyre, pesë janë në gjendje më të rëndë shëndetësore. Ndërkohë pesë të tjerë janë duke i pritur rezultatet e mostrave të marra për të vërtetuar nëse janë të infektuar me kroonavirus ose jo.

Gjendja shëndetësore e 36 pacientëve të prekur me koronavirus të cilët po qëndrojnë në Klinikën Infektive të QKUK’së, është stabile. Kështu ka deklaruar për Gazetën Express, të dielën, infektologu i QKUK’së, Salih Ahmeti.

Sipas tijë, krahas këtyre 36 pacientëve që kanë rezultuar me koronë, janë edhe 5 pacientë të tjerë të cilët janë shtrirë dhe po i presin rezultatet e testeve të marra për analizë nga IKSHP.

“36 pacientë për momentin i kemi të hospitalizuar. 5 persona të tjerë janë në pritje të rezultateve. Ndërkohë 5 pacientë të konfirmuar me Covid-19, janë në gjendje të më të shëndetësore, por megjithatë të menagjueshme. Mosha e tyre është prej 50 e deri në 77 vjec më i vjetri”, ka deklaruar për Express, Salih Ahmeti,

Tutje ai ka thënë se tek disa pacientë ditën e hënë do të bëhet testimi i dytë për të parë nëse gjendja e tyre shëndetësore është përmirësuar dhe se virusi është mënjanuar tërësisht nga trupi i tyre.

“Ndërkohë janë disa pacientë të tjerë të cilët janë në pritje të rezultateve për analizat e dyta që u janë bërë për të parë nëseë janë shëruar nga koronavirusi. Ne kemi shumë shpresë që ata do të shërohen. Të hënën do t’iu bëhen testet e dyta”, thotë Ahmeti.

E ndërkohë, gjatë së shtunës mbrëma, një tjetër person ka rezultuar pozitiv në testimet për koronavirus në Kosovë, duke e dërguar në 91 numrin e personave të prekur me këtë sëmundje.

“Rasti pozitiv është rast kontakti, me vendbanim në Prishtinë”, është thënë në njoftim.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka bërë të ditur se të rinjtë e moshave nga 20 deri në 29 vjeç janë prekur më së shumti nga koronavirusi i ri në Kosovë.

Nga 88 personat e infektuar me këtë sëmundje, 20 prej tyre i përkasin kësaj moshe, ndërkohë që vetëm 9 persona të prekur janë të moshës mbi 70-vjeçare.Sa i përket gjinisë, 53 e meshkujve janë prekur nga sëmundja Covid-19 që shkakton koronavirusi, në krahasim gratë që përbëjnë 47 për qind të numrit të të infektuarve.

Me qëllim të parandalimit të përhapjes së koronavirusit të ri, Qeveria në largim e Kosovës ka shpallur gjendje emergjente për shëndetin publik./Express/

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0