300 milionë euro vetëm për pensione

300 milionë euro vetëm për pensione

Rreth 300 mijë kosovarë u drejtohen bankave çdo muaj me të 23’in. Po këtë ditë, ata i tërheqin paratë e pensioneve, me të cilat shumica e sigurojnë edhe jetesën. Një pjesë e madhe e tyre janë veteranë të UÇK’së. E gjithë këto pensione, sipas Ministrisë së Punës i kushtojnë buxhetit të shtetit më të varfër në rajon mbi 300 milionë euro në vit.
Me miliona euro shpenzohen çdo muaj nga kuleta e shtetit për përfituesit e skemave sociale në vend. Pensionet bazike të moshës dhe ato kontributdhënesë po del të jenë kategoritë që e “tkurrin” më së shumti buxhetin e Kosovës.

Kategori që e rëndon buxhetin, po del të jetë edhe ajo e veteranëve.

Për çdo muaj, rreth 40 mijë veteranë sa janë në tërë vendin i harxhojnë mbi 6 milionë euro, shifër kjo që deri në fund të vitit shkon mbi 75 milionë euro.

Së paku kështu deklarojnë në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Në bazë të statistikave të MPMS’së që ka siguruar Gazeta Express, përveç për veteranë, shteti ka ndarë edhe rreth 40 milionë euro për pensionet e familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të luftës. Derisa 268 mijë e 875 euro të tjera janë shpenzuar për viktimat e dhunës seksuale.

Në kategorinë e familjeve të dëshmorëve, përfitues po del të kenë qenë mbi 13 mijë persona, derisa përfitues të pensioneve për viktimat e dhunës seksuale ishin rreth 150 persona çdo muaj.

Por, këto nuk janë kategoritë e vetme për të cilat shteti ka ndarë gjatë 2018’ës. Vetëm gjatë 2018’ës, shteti ka ndarë mbi 260 milionë euro për skemat e tjera pensionale.

Në bazë të të dhënave që ka siguruar Express nga MPMS’së, kategoria e personave që ka më së shumti përfitues e për të cilën shpenzohen më së shumti para është ajo e pensioneve bazike të moshës, pasuar nga ajo e pensioneve kontributpaguese të moshës dhe kategoria për pensionet e veteranëve.

E më së paku përfitues ka nga pensionet e Forcës së Sigurisë së Kosovës(FSK) dhe Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK). 1 mijë e 500 persona marrin pensione për këto kategori.

Të tjerët janë persona me aftësi të kufizuara, pensionist të Trepçës, Skema e të verbërve, Pensionet e familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të luftës, Skema e ndihmës sociale dhe Skema për përkrahje financiare familjeve që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara./Express

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0