30 punëtorë shëndetësorë humbën jetën nga Covid-19 në Kosovë, mbi tre mijë u infektuan

30 punëtorë shëndetësorë humbën jetën nga Covid-19 në Kosovë, mbi tre mijë u infektuan

Janë çdo ditë në vijën e parë të frontit duke e luftuar koronavirusin. Që nga fillimi i pandemisë e deri më tani  30 punonjës shëndetësorë të vdekur nga COVID-19 , prej tyre 18 mjekë, ndërsa mbi tre mijë punonjës shëndetësorë të infektuar. Përfaqësues të profesionistëve shëndetësorë vlerësojnë se ndër shkaqet e infektimit dhe vdekjeve të tyre janë masat mbrojtëse jo adekuate dhe orari i stërzgjatur i punës.

Vdekja e specialistit të epidemiologjisë Muhamet Avdyli nga Peja çoi në 18 numrin e viktimave me koronavirus nga radhët e mjekëve pa përfshirë këtu profilet e tjera të personalet shëndetësorë.

Që nga fillimi i pandemisë e deri më tani me koronavirus u infektuan mijëra punëtorë shëndetësorë.

Por pse ndodhi ky numër i vdekjeve si dhe infektimi kaq i gjerë i personelit me Covid-19.

“Janë kombinim i shumë faktorëve, ndër ta është mbingarkesa, lodhja për shkak të punëve me orare të gjata dhe në shumë raste, sidomos në fillim të pandemisë, ka qenë mos pasja e masave adekuate mbrojtëse të personelit”, tha Pleurat Sejdiu, kryetar i Odës së Mjekëve.

“Stërlodhja, stërzgjatja por edhe kushtet në fillim kanë qenë të vështira, mos njohja e virusit e kanë pru një situatë të tillë”, theksoi për RTV21, Blerim Syla, kryetar i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë.

Në këtë kohë kur numri i infektimeve të personelit mjekësorë dhe punonjësve të tjerë shëndetësorë është mjaft i lartë, shpresë për ta është vaksina kundër Covid-19 e paralajmëruar si ndihmë nga Shqipëria.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0