20 vjetët e ankthit të Ferdonije Qerkezit në kërkim të burrit dhe 4 djemve

20 vjetët e ankthit të Ferdonije Qerkezit në kërkim të burrit dhe 4 djemve

Vitet kanë kaluar, por dhimbja për djemtë dhe burrin e saj, vetëm sa është shtuar për Ferdonije Qerkezin.

Qerkezi e kujton 27 marsin e vitit 1999, si ditë të tmerrit e sakrificës, raporton KTV.

Edhe pas 20 vjetësh, ajo i ka të freskëta kujtimet për katër djemtë dhe bashkëshortin.

Koha thotë të mos ia ketë lehtësuar dhimbjen, por kujtimi për ta po e mban gjallë.

Ajo po mbahet e fortë pas fjalëve të tyre, që kishin thënë se jetën do ta jepnin për lirinë e vendit.

Nuk gjen fjalë ta përshkruajë mallin e dhimbjen që peshon në supet e saj përgjatë këtyre vjetëve duke jetuar e vetme, e rrethuar me fotografi që ia mbajnë gjallë shpresën se një ditë do të gjenden edhe trupat e djalit Armendit, Ardianit dhe bashkëshortit.

Trupat e 2 djemve tjerë të saj Artanit, djalit të madh, dhe Edmondit të vogël, janë gjetur në lokacione të ndryshme në vitin 2005 në Kosovë.

Qerkezi thotë të jetë e zhgënjyer me punën e institucioneve në zbardhjen e fatit të të pagjeturve.

Më 27 mars 1999, forcat policore serbe kishin hyrë me dhunë në shtëpinë e familjes Qerkezi, e, në sy të Ferdonijës, rrëmbyen 11 burra, në mesin e tyre katër djemtë dhe burrin e saj.

Djali më i vogël i saj ishte vetëm 14-vjeçar e burri 53.

20 vjet pas luftës, pos tyre, nuk dihet për fatin edhe të rreth 1,660 personave të tjerë të zhdukur.

Shtëpia e familjes Qerkezi ka mbetur një ndër dëshmitë më prekëse për krimet e Serbisë të kryera në Kosovë.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0