“20 shtete kanë porositur mbi 1 miliard doza të vaksinës kundër Covid19”

“20 shtete kanë porositur mbi 1 miliard doza të vaksinës kundër Covid19”

Kryetari i Fondit për Investime të Drejtpërdrejta në Rusi, Kirill Dmitriev, ka thënë se 20 shtetet nga pjesë të ndryshme të botës kanë bërë kërkesë për mbi një miliard doza të vaksinës së miratuar të martën për trajtimin e koronavirusit.

“Kemi parë interesim të konsiderueshëm jashtë për vaksinën ruse të zhvilluar nga Instituti Gamaleya. Për më tepër, kemi pranuar kërkesa preliminare për më shumë se një miliard doza të vaksinës nga 20 shtete”, tha Dmitriev.

“Bashkë me partnerët tanë të jashtëm, tashmë jemi të përgatitur për të prodhuar mbi 500 milion doza të vaksinës në vit në pesë shtete dhe plani është që të shtohet kapaciteti i prodhimit edhe më shumë”, shtoi ai.

Sipas tij, shtetet në Amerikën Latine, në Lindjen e Mesme dhe në pjesë të tjera të Azisë e kanë shprehur interesimin më të madh për vaksinën ruse dhe autoritetet janë afër nënshkrimit të disa kontratave për shitblerjen e kësaj vaksine.

Pavarësisht miratimit të vaksinës, ajo ende nuk e ka kaluar fazën e tretë të testimit, në të cilën zakonisht përfshihen mijëra njerëz dhe gjatë së cilës vlerësohen siguria dhe efikasiteti i vaksinës.

Dmitriev tha se kjo fazë e testimit të vaksinës do të bëhet jashtë Rusisë, duke përmendur Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe disa vende të tjera.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0