14 kompani të naftës në Kosovë dënohen me gjobë 4 milionë euro, kishin kurdisur çmimet

14 kompani të naftës në Kosovë dënohen me gjobë 4 milionë euro, kishin kurdisur çmimet

4 milionë euro është shuma e dënimeve që Autoriteti i Konkurrencës ua ka shqiptuar 14 kompanive të naftës të cilat kishin manipuluar çmimet.

KOHA ka marrë vesh nga burime të saj se është vërtetuar se kompanitë të cilat kanë qenë nën hetim e kanë çrregulluar konkurrencën tregtare gjatë muajve nëntor dhe dhjetor të vitit 2018.

Në nëntorin e kaluar AKK-ja kishte gjetur fakte se shkaku i kurdisjes së çmimit të naftës, fitimi i kompanive ishte rritur deri në 124 për qind. Dyshimet e Autoritetit se kompanitë e naftës janë marrë vesh paraprakisht për rritjen e çmimit të naftës, këtë javë kanë marrë epilog nga komisioni i ngritur për këtë çështje.

Pas zhvillimit procedural, Komisioni i Autoritetit, më 6 maj 2020 ka vendosur të shqiptojë masa ndëshkuese administrative në shumën prej 4 milionë euro të totalit të të hyrave për gjashtë 6-mujorin e vitit 2018 ndaj 14 kompanive nën hetim.

Sipas informacioneve, të 14 kompanitë, me veprimet e tyre, kanë kryer shkelje të dispozitave të Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës , përkatësisht nenit 4 për “Marrëveshje të ndaluara apo praktikë e bashkërenduar”.

Autoriteti Kosovar i Konkurrencës të premten do të bëjë publike edhe emrat e kompanive dhe dënimet individuale për secilën nga to. Megjithëse dyshimet ishin që 14 kompani, në mesin tyre “Hib Petrol”, “Al-petrol”, “Ex Fis”, “Lab Oil” e “Petrol Company” kishin kurdisur çmimin e naftës fundvitin e 2018-s.

Kur patën nisur hetimet Autoriteti pati deklaruar se këto kompani fitimin për muajt janar-tetor e kishin rreth 9 %, kurse në nëntor ka qenë në mesatare prej 60%. Në dhjetor, fitimi mesatarisht ka qenë 124%.

Të njëjtat dyshime ekzistojnë edhe sa i përket shitjes me pakicë të benzinës. Më konkretisht, derisa fitimi për periudhën janar-tetor 2018 ka qenë 12%, në dhjetor ka qenë 135%.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0