​Ministri Endrit Shala, sipas ligjit, ka përgjegjësi direkte për çmimet astronomike të naftës

​Ministri Endrit Shala, sipas ligjit, ka përgjegjësi direkte për çmimet astronomike të naftës

Ministri i Tregtisë, Endrit Shala, mund t’i kërkojë Qeverisë së Kosovës që të ndërhyjë në rastin e çmimit të naftës dhe benzinës, i cili vazhdon të jetë i lartë, edhe pse kudo në botë ka rënie. Këtë, Shalës ia mundëson ligji.
Endrit Shala ende s’ka thënë asnjë fjalë për çmimin e derivateve.

Ndërkohë sa kosovarët paguajnë çmimin e njëjtë të naftës e benzinës sikur vendet që kanë standard të lartë të jetesës, edhe pse ka rënie të këtij çmimi kudo në botë, zgjidhje për këtë do të mund të japë ministri i Tregtisë.

Këtë atij ia mundëson ligji.

Endrit Shala mund t’i kërkojë shefit të ekzekutivit që Qeveria e Kosovës të ndërhyjë në rastet e çrregullimit të brendshëm.

Sipas nenit 11 të ligjit që rregullon tregun e brendshëm , Ministri i Tregtisë një ndërhyrje të tillë mund ta kërkojë në këto tre raste:

“a) Kur ka mungesë të papritur dhe të vazhdueshme të naftës dhe derivateve të saj;”

“b) fatkeqësive të mëdha natyrore, apo;”

“c) lëvizjeve të mëdha të çmimit të naftës dhe derivateve të saj në tregun botëror dhe mospërshtatjen e çmimeve vendore me lëvizjet e tilla”.

Kjo e fundit ka ndodhur kudo në botë. Nafta dhe benzina kanë rënë në çmim. Kjo është zbritja më e madhe e çmimit të derivateve në dy vitet e fundit.

Në vendin fqinj të Kosovës, Maqedoni nafta është 1 euro, ndërsa benzina katër cent më shumë.

Ndërsa, kosovarët paguajnë 1. 14 euro për naftë, e 1.15 euro për benzinë. Vetëm pak centë më pak sesa kroatët, të cilët kanë standard shumë herë më të zhvilluar së Kosova. Në Kroaci nafta po kushton 1.35 euro, ndërsa benzina 1.30.

Gazeta Express të enjten ka provuar të flasë me ministrin Shala. Por, ai nuk është përgjigjur në thirrjet e gazetës.

Nga ana tjetër, Durim Limaj, shef i kabinetit të Ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, javën që shkoi në “Pressing” kishte larguar përgjegjësinë e MTI’së nga ky rast.

“MTI nuk i rregullon çmimet”, kishte thënë Limaj. “As nuk i vendos akcizat apo taksat”, ka shtuar ai në T7.

COMMENTS

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0